Borussia e Dortmundit nuk ndalet më në merkato. Verdhezinjtë kanë zyrtarizuar blerjen e dytë në harkun e pak orëve, teksa kanë siguruar shërbimet e Thorgan Hazard nga Borussia Moenchengladbach.

Belgu është goditja e dytë në pak orë pas Nico Schulz që erdhi nga Hoffenheim, por Dortmundi ka në dorë edhe Julian Brandt të Bayer Leverkusen i cili mund të zyrtarizohet së shpejti. Kartoni i vëllait të Eden Hazard i ka kushtuar 28 milionë euro drejtuesve të Borussias të cilët ishin të interesuar prej kohësh për Thorgan që pritet të marrë në skuadër vendin e Christian Pulisic, i cili është shitur te Chelsea për 64 milionë euro.

Hazard është prezantuar te Dortmundi me video-mesazh ndërkohë që do të mbajë veshur fanellën me numër 8 dhe ka firmosur për 5 vite deri në 2024-n.

“Jam mirënjohës për 5 vitet e kaluara tek Monchegladbach dhe kam kujtime të bukura aty. Tani është koha ideale për të hedhur një hap tjetër në karrierën tim. Jam krenar që do të luaj për Borussia Dortmund, është një klub i madh me tifozë të mrekullueshëm”, tha Hazard në prezantimin e tij tek klubi i ri.

Belgu këtë sezon është i vetmi lojtar, bashkë me Jadon Sancho, që kanë arritur të kapin numrin dyshifror të golave dhe asistove në një sezon në Bundesliga. Plot 10 gola dhe po aq asist ka dhënë Hazard tek Monchegladbach.

Top Channel