Ekipet kanë nisur përforcimet për sezonin e ri futbollistik. Kjo merkato vere deri tani ka qenë mjaft interesante, por pandemia ka akoma gjurmët e saj tek financat e klubeve. Më poshtë po ju paraqesim disa lëvizje të fundit në merkato.

Jovetic te Hertha e Berlinit, gati kontrata 3-vjeçare
Sulmuesi malazez Stevan Jovetic ka mbyllur bashkëpunimin me Monacon dhe tani është gati për një aventurë në Bundesligë. Sipas mediave gjermane, futbollisti 32-vjeçar ka arritur marrëveshjen me Herthën e Berlinit për një kontratë 3-vjeçare dhe zyrtarizimi është vetëm çështje orësh. Sulmuesi malazez ka luajtur më herët në kampionatin italian, anglez, spanjoll e francez, ndërsa me kalimin në Bundesligë, kompleton 45-shen e ligave kryesore europiane.

Simeone nuk bind Cagliarin, gati transferimi në Rusi
Me vetëm 6 gola të shënuar në 33 ndeshje të sezonit të kaluar, Giovanni Simeone nuk ka përmbushur pritshmëritë e tij në Cagliari, ndaj pritet që të largohet gjatë merkatos së verës. Për sulmuesin 26-vjeçar së fundi kanë shfaqur interes rusët e Zenitit të Shën Petërsburgut, që janë ofruar ta marrin në huazim me të drejtë blerjeje për shifrën e 8 milionë eurove. Negociatat mes palëve kanë nisur dhe në ditët e ardhshme pritet edhe zyrtarizimi i Simeones në klubin rus.

Pjaca rikthehet në Torino, këtë herë jo për Juven
Pas tre sezonesh huazim në klube të ndryshme, Marko Pjaca është gati të rikthehet në Torino, por këtë herë jo për të veshur fanellën e Juventusit. Fantazisti kroat është në pronësi të bardhezinjve, por pëlqehet shumë nga trajneri Juriç, që po e kërkon me ngulm te Torino. Negociatat mes dy klubeve torineze kanë nisur dhe marrëveshja pritet të arrihet mbi formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për një shifër totale prej 7 milionë eurosh.

Hauge kërkohet në Gjermani, Maldini i vendos çmimin
Ndonëse erdhi me bujë te Milani, norvegjezi Jens Petter Hauge nuk ia doli të bindë trajnerin Pioli dhe pritet të largohet gjatë kësaj vere. Për sulmuesin anësor kanë shfaqur interes klubet gjermane si Wolfsburg dhe Eintracht Frankfurt, ndërsa Maldini e ka bërë të qartë se Hauge nuk do të largohet nga Milano për një shifër më të ulët se 15 milionë euro.

Top Channel