Ende shërbimi kryesor që është ai i urgjencës lë për të dëshiruar. Edhe pse para disa kohësh u fol për modernizimin e urgjencës kombëtare dhe standardin e ri që do të sillte ajo, ky shërbim nuk funksionon siç duhet.

Fiks Fare solli dy raste që e kanë kërkuar këtë shërbim me urgjencë, por nuk u janë përgjigjur ose i kanë sorollatur. Madje njëri prej tyre priti aq gjatë për këtë shërbim sa mund të filmonte edhe një pacientë duke dhënë shpirt në pritje për t’u mjekuar urgjent.

Një muaj pas transmetimit në Fiks Fare të rastit të një qytetareje nga Korça që denoncoi veprimet e Urgjencës Korçë dhe akuzoi se ky shërbim i munguar u bë shkak për humbjen e jetës së babait të saj, të tjera raste u bënë publike po nga ky emision.

Ilir Sulaj nga Vlora u ankua në Fiks Fare se urgjenca nuk i është përgjigjur kur e ka telefonuar për mamanë e tij të moshuar e cila vuan nga ishemia cerebrale. Ai ka telefonuar në 11 prill disa herë urgjencën kombëtare, qendra e të cilës është në Tiranë , saktësisht në orën 10:43 dhe në orën 10:58. Në një nga telefonatat urgjenca i është përgjigjur dhe kur z. Sulaj u ka shpjeguar se e ëma ka qenë në gjendje të fikti për shkak të sëmundjes, nga ana tjetër e receptorit ka marrë si përgjigje që duhet të merrte rekomandim tek mjeku i familjes. “ Nuk e kuptoj ça përgjigje ishte kjo. Si mund të merrja rekomandim nga mjeku kur mamaja ime ishte në gjendje të rëndë?” janë pyetjet që shtron z. Sulaj. Ai tregon për Fiks Fare se pasi ai nuk kishte gjetur zgjidhje tek shërbimi i urgjencës kishte telefonuar edhe policinë e cila e kishte orientuar po tek urgjenca. “ Unë kërkoj ndihmë nga Fiksi pasi kjo më duket absurde dhe është një shqetësim shumë i madh për ne që urgjenca nuk na përgjigjet apo shërbejë” përfundon Ilir Sulaj. Fiksi iu drejtua Urgjencës Kombëtare në Tiranë për të kërkuar një informacion në lidhje me denoncimin e qytetarit dhe pse nuk i është ofruar shërbimi, por si përgjigje mori që këtij institucioni pyetjet t’ia nisë me një shkresë zyrtare.

Filmon pacientin që jep jetë në urgjencë, mjekët bëjnë sehir

Shokues është edhe rasti i Pjetrush Ndocit nga qyteti i Shkodrës. Ai vuan nga një sëmundje kronike në mushkëri dhe para disa ditës kur është ndjerë keq i është drejtuar urgjencës në Shkodër. “Mbeta në urgjencë për 30 minuta pa më ardhur asnjë njeri. Pas 30 minutash më vjen një mjek më merr të dhënat . Ndërsa më pyeti a kisha njeri që interesohej për mua. Me të mësuar faktin që nuk kisha njeri që të interesohej, askush nuk erdhi të më shihte për 1 orë e 30 minuta të tjera. Ndërsa një pacientë tjetër i cili ishte jo shumë larg meje, në momentin që po ndërronte jetë, bërtiti me të madhe Kujtim vdiqa. Duke parë këtë situatë unë e filmova ngjarjen, ndërsa aty ishin dy mjekë të cilët as nuk ndërhynin fare, për t’i dhënë ndihmë. Në këto momente vjen njëri nga mjekët dhe më thotë, mos ke filmuar gjë? I thashë jo se nuk di. Të ndodhur para kësaj situate më morën e më dërguan dhe më bën analizat, duke më shpuar disa herë krahët e duke m’i nxirë , pasi ishin të paaftë të më gjenin damarët” shprehet z.Ndoci. Ai tregon se më pas është dërguar në sanatorium ku dhe është shtruar, madje shpjegon se pastrueset merrnin ujin në tubat e shkarkimit të lavamanit dhe lanin dhomën dhe krejt pavijonin me ujin e qelbur. Më pas ato me duart e papastra u ndanin të sëmurëve ushqimin. Pjetrushi ishte ankuar për këtë gjë, por menjëherë pas ankesës së tij mjekja e pavijonit kishte bërë gati fletë-daljen dhe e nxorën nga spitali ditën e shtunë. “Kërkova kartelën, ku nuk kishin shkruar as orën dhe ditën e daljes nga spitali. Kam bërë denoncimin në prokurori, por nuk kam besim se do hetojnë, pasi në momentin e denoncimit më thanë pse ke bërë video. Ndërsa unë kam xhiruar një person që vdiq në urgjencën e spitalit, punonjës të prokurorisë thoshin se ai ka vdekur rrugës dhe jo në spital, por unë isha prezentë” tha denoncuesi. Për të vërtetuar vonesën në dhënien e ndihmës së shpejtë në spitalin e Shkodrës pacienti bashkëpunoni me gazetarët e Fiks Fare, të cilët e dërguan në urgjencë. Në urgjencë mjeku nuk po u shkonte dhe me anë të recepsionistit kërkuan që të njoftonte edhe një herë mjekun. Recepsionisti u thotë se e ka lajmëruar dy herë që ka raste urgjente dhe mjeku nuk ka denjuar të vij “ unë kam për detyrë ta njoftoj një herë jo 500 herë” shprehet recepsionisti. Pas 30 minutash në urgjencë shfaqet mjeku roje dhe pasi e pyet pacientin se nga se vuan i thotë se ai nuk është për në urgjencë, por e drejton në sanatorium tek mjekja që e ka ndjekur. E vetmja ndihmë që mjeku mund t’i jepte në urgjencë ishte t’i bënte serum, asgjë tjetër. Pacienti i kërkon letër shoqërimi mjekut të urgjencës për të shkuar tek mjekja specialiste , por ai nuk i jep me motivin që urgjenca nuk jep. Pasi e largon nga urgjenca me pretendimin se duhet të shkojë tek specialisti , pacienti shkon tek një tjetër mjeke. Edhe kjo nuk i jep shërbim duke e orientuar tek mjekja që e ka pasur në ngarkim në shtrimin e parë. “ Unë nuk ta njoh sëmundjen, kurse doktoresh Lindita po, ndaj shko tek ajo. Unë nuk mund të bëj asnjë veprim “ i thotë ajo pacientit. Më pas gazetarët e Fiksit dhe Pjetrushi i drejtohen sanatoriumit të vjetër ku ishte doktoreshë Lindita e cila e ka ndjekur. Më të kontaktuar me të, doktoresha kërkoj letrën e shoqërimit nga urgjenca, gjë e cila nuk iu dha pacientit. Ndërsa doktoresha u shpreh se nëse nuk ke letrën e doktorit të urgjencës duhet rekomandimi i mjekut të familjes. Pas insistimit të pacientit se po e sorollatnin sa në urgjencë në sanatorium, doktoresha e vizitoi atë, i bëri edhe skopi, por nuk i dha mjekim duke e lënë me mjekimin që i kishte dhënë disa ditë më parë.

Bisedat në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër
Fiksi – Nuk doli ndonjë mjek?
Recepsionisti – Erdhi mjeku dhe iku fill. Unë shkova dy tre herë dhe e thirra, s’e kam ndermen me thirr 500 herë. Unë e bana punën time. Mjeku ishe zënë i thashë prapë dy herë me ardh
Fiksi – E solla me makinë deri këtu, thashë të iki edhe unë se kam punë. Gjynah që lëviz kështu. Po deshe mundohu të mos na lësh shumë këtu
Recepsionisti – Normal.

…………. Pas 30 minutash vjen mjeku i urgjencës……..

Doktori – Kur ke qenë i shtruar me cilën doktorësh?
Pacienti – Tek Lindita
Doktori – A ke shku tek Lindita? A ke shku sot?
Pacienti – Jo, jo
Doktori – Shko tek Lindita se ta zgjidh më mirë se urgjenca.
Fiksi –Po ndonjë letër a gjë mund të shkojmë pa të?
Doktori – Letër nuk mundet të japim. Këtu trajtohen vetëm urgjencat nuk trajtohen të sëmurët kronik
Pacienti – Edhe unë për urgjencë jam se po bëhem gjithë ujë. Nuk me pret koha me shku tek Lindita. A e gjej a se gjej?
Doktori – A në qofte se nuk e gjen është punë tjetër e ke parasysh. E di si është problemi është se ti duhet mu lidhë me të. Se është problemi i saj. E vetja gjë që mund të bëjmë këtu mund të bëjmë një serum.
Fiksi – Ndonjë skopi?
Doktori –Po grafinë ja bëjmë po duhet të hapet kartela, ka procedura. Të mos shkoj tek Lindita të vazhdoj të pres. Të hapim një kartel
Fiksi – Linditën ku e gjemë?
Doktori – Këtu tek kjo kthesa këtu në katin e dytë tek pneumologjia.

Takimi me doktoreshën në pavionin e Pneumologjisë

Pacienti – Kam qenë i shtruar këtu në sanatorium
Doktoresha – Si e ke emrin
Pacienti – P…
Doktoresha – P.. po ti ke qenë me doktoreshë Nadiren. Doktoreshë Nadiren e ke te sanatoriumi ka ditën e skopisë. E sheh me skopi. Te spitali i vjetër tek skopia është doktoresha, dakord? T’ka pas ajo e zakonisht të ndjekë ajo, ajo ta njeh sëmundjen. Ajo të ka pas do ditë të shtruam, dakord?
Pacienti – Mua më nisi urgjenca, shko këtu, shko atje, shko atje
Doktoresha – Urgjenca është për tek urgjenca. Duhet se s’bën një skopi, nuk bëhet këtu bëhet tek sanatoriumi i vjetër dhe doktoreshë Nadirja ka radhën e shikon sot. Spitali i vjetër është atje, mua s’më pyet kërkush. Ky është rregulli. Urgjenca është urgjencë unë nuk bë asnjë ekzaminim, mua më vinë të gjitha gjërat prej nalt të ekzaminume. Doktoresha mund të iki, prandaj thashë shkoni e kryeni punë.
Sanatoriumi i vjetër, bisedë me doktoreshë Nadiren
Pacienti – Jam i sëmurë prapë. Vdiqa, një ky shok me ka ndihmuar me ardh deri tek urgjenca. Edha tek urgjenca më mbajtën nja gjysmë ore, më than shko në katin e tretë.
Doktoresha – Tek urgjenca pa letra nuk të vizitoj. Për pa letra, ke mjek të familjes. Në qoftë se nuk mundesh me ardh, shkon tek urgjenca. Te urgjenca të pajisë me letra dhe të ndjekë specialisti.
Fiksi – Doktoresh tek urgjenca kështu i thanë, na jep një letër të shkojmë tek doktoresha
Pacienti – Po na ku të shkojmë, më jep rrugëzgjidhje ku të mbytem?( më pas mjekja e viziton).Nuk mund të jap ilaçet, pompat dhe asnjë gjë.

Top Channel