Përkujtohet bombardimi i Milosheviçit, ceremonia në Pentagon: Qëndrojmë me popullin e Kosovës

10/05/2019 15:24

Me një ceremoni në Pentagon është përkujtuar 20 vjetori i fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Zyrtarë të lartë të Pentagonit folën për rëndësinë e jashtëzakonshme të asaj fushate ajrore, ndërsa dëshmitarë të luftës kujtuan dhimbjet e tyre personale, thotë VOA.

Gjenerali me katër yje, Dave Goldfein ishte një pilot i thjeshtë që drejtonte një avion F-16, dy dekada me parë kur forcat e NATO-s nisën goditjen e shënjestrave në Serbi. Sot ai është  shef i shtabit të forcave ajrore amerikane dhe një nga gjeneralët kryesorë të Pentagonit.

“Ne shkojmë në luftë për të mbrojtur vlerat tona. Ne nuk duam luftë por kur kauza është e drejtë, ne mbrojmë vlerat tona. Kosova është shembulli i fitores të së mirës mbi të keqen. Jam shumë i lumtur që, falë ndërhyrjes së NATO-s, njerëzit patën një shans për të ardhmen. Jam shumë krenar për atë që arritëm”, tha gjenerali Dave Goldfein.

“Ne qëndrojmë me popullin e Kosovës sot, ashtu siç qëndruam 20 vjet më pare”, shtoi  gjenerali Goldfein.

Muharrem Alijaj  tregoi se ishte vetëm 13 vjeç kur humbi të motrën. Ai do të mbahet mend gjithmonë si djali me këmishë të verdhë që u shpëtua nga forcat e NATO-s, thotë Zëri i Amerikës.

“Jemi mirënjohës si popull i Kosovës që na ndihmuan dhe që na sollën në liri,” është shprehur ai. Ceremonia u mbyll me inaugurimin e një pllakate kushtuar 20 vjetorit të fushatës së NATO-s në Kosovë.

Pllakati i vendosur në njërin prej korridoreve të Pentagonit do të qëndrojë aty përgjithmonë, në kujtim të Operacionit Forca Aleate, siç u quajt fushata ajrore e NATO-s e udhëhequr nga SHBA në Ballkan.

Top Channel