Top Talk/Kërkesa e PD për qeveri tranzitore, Gjiknuri: Precedent i rrezikshëm për demokracinë

07/05/2019 16:24

I ftuar në Top Talk, Gjiknuri tha se pretendimet e opozitës për qeveri tranzitore janë të papranueshme. Sipas ish-ministrit, nëse instalohet kjo metodologji në politikën shqiptare, atëherë nuk do ketë zgjedhje dhe stabilitet në Shqipëri.

Nga studioja e Top Talk, Gjiknuri e ftoi Partinë Demokratike që të futet në zgjedhje dhe ta marrë pushtetin me vota.

“Ultimatumi ik ti se do vi unë, nuk është logjike. Precedenti është shumë i rrezikshëm për demokracinë. PD duhet të dalë me një alternative. S’ka kompromis ik ti se do vi unë. Këtë nuk ta pranon njeri. Ky është ultimatum. Nëse PD thotë se sondazhet i nxjerrin fitues, kishin një rast shumë të mirë për ta treguar këtë. Kryeministri Rama ia ka bërë ftesën se nëse ata marrin në këto zgjedhje më shumë vota se maxhoranca, pranon të shkojë në zgjedhje të parakohshme, sepse ky është një lloj sinjali politik që ka humbur mazhorancën. Nëse iu besojnë këtyre sondazheve që ata pretendojnë, të shkojnë e të marrin pjesë në zgjedhje lokale. Ata i bënë llogaritë gabim. Pritën se do shkaktonin presion të madh ndërkombëtar dhe popullor, gjë që nuk ndodhi.

Ata kërkojnë qeveri teknike, mirë por po i instalua kjo metodologji në politikën shqiptare, atëherë nuk do kemi zgjedhje dhe stabilitet në Shqipëri.

Në fakt në 2017, sondazhet nxirrnin fitues PS me të njëjtët mandate deputetësh. Mendonit ju se në 2017, PD do fitonte zgjedhjet pas maskaradës që bëri me çadrën dhe në fund u dorëzua duke bërë atë marrëveshje. Elektorati është i zgjuar dhe e kupton që kjo parti nuk është serioze”, tha Gjiknuri.

Top Channel