Pas një periudhe dyvjeçare pezullimi, koncesioni 70 milionë euro i laboratorëve ka marrë miratimin e qeverisë, duke kaluar kështu edhe hallkën e fundit të hyrjes në fuqi.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë ka miratuar kontratën e Partneritetit Publik-Privat, e cila kalon laboratorët e 5 spitaleve publike në administrim të privatit për një periudhë 10-vjeçare.

Sipas kontratës zyrtare, kalimi i laboratorëve te privatët do të rrisë gamën e analizave që kryhen në shërbimin laboratorik publik, nga 96 që bëhen aktualisht në 160 lloje analizash. Në këmbim, qeveria shqiptare do t’i paguajë koncesionarit privat 7.1 milionë euro në vit, për 10 vitet e ardhshme, ose mbi 71 milionë euro në total.

Ai i laboratorëve është koncesioni i katërt në shëndetësi, pas dializës, sterilizimit dhe kontrollit bazë “check up”. Formalisht ky koncesion u fitua nga një konsorcium prej 3 kompanish, shqiptares “Labopharma”, holandezes “AB Laboratory Solutions” dhe francezes “Exalab”. Por, pas zhvillimit të tenderit, kompania e dytë holandeze rezultoi me probleme pronësie, pasi përfaqësohej nga persona fiktivë.

Për këtë arsye, koncesioni u bllokua për më shumë se dy vite nga Korporata Ndërkombëtare Financiare, ndryshe IFC, e cila ka shërbyer si konsulentja ligjore e të gjithë procesit për dhënien e laboratorëve me koncesion.

Por, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, kompania fantazmë në Holandë ndryshoi pronësi, duke u përthithur nga shqiptarja “Labopharma”, një operacion për të cilin IFC ka dhënë konsensusin, edhe pse përbën në thelb ndryshim të aksionerëve pas tenderit.

Rrjedhimisht tani, dy kompanitë e para janë në pronësi të të njëjtit aksioner, shtetasit shqiptar Janis Karathano, i cili zotëron kështu 75 për qind të aksioneve në koncesionin e laboratorëve, ndërsa 25 përqindëshi tjetër zotërohet nga francezja “Exalab”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA