Nënstacioni i ri në Kombinat, Balluku: Përmirësojmë furnizim me energji për 120 mijë abonentë

26/04/2019 15:33

Ka nisur puna për ndërtimin e nënstacionit të ri në zonën e Kombinatit i cili do të bëj të mundur furnizimin me energji elektrike me cilësi më të lartë për afro 120 mijë banorë. Nënstacioni aktual është një nënstacion i ndërtuar në vitin 1948 dhe tashmë, në saj të një investimi të përbashkët të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Bankës Botërore, me vlerë 10 milionë euro, do të bëhet e mundur ndërtimi i një nënstacioni të ri.

Në projekt përfshihet ndërtimi i fiderave të rinj 20 kV, rikonstruksioni i kabinave ekzistuese muraturë dhe ndërtimi i kabinave të reja 20/0.4kV. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike,  Adrian Çela dhe përfaqësues të Bankës Botërore në Shqipëri inspektuan fillimin e punimeve për ndërtimin e nënstacionit të ri.

Ministrja Balluku tha se projekti në fjalë synon rritjen e standardeve të shpërndarjes së energjisë, duke minimizuar humbjet por edhe ndërprerjet apo defektet. “Investimi në nënstacionin e Kombinatit është një investim prej 10 milionë eurosh i financuar nga Banka Botërore. Është një financim i cili do të ndihmojë në rritjen e sigurisë përsa i përket rrjetit të tensionit të mesëm duke qenë se ky rrjet kabllor ka ndikim minimal nga kushtet atmosferike dhe si rrjedhojë numri i aksidenteve zvogëlohet minimalisht. Nga ana tjetër, ky projekt synon rritjen e standardeve të shpërndarjes së energjisë, të furnizimit me energji elektrike, sipas kodit të shpërndarjes, duke minimizuar humbjet në rrjet, humbjet teknike por edhe ndërprerjet apo defektet”, tha Balluku.

Ministrja theksoi se punimet për këtë projekt pritet të përfundojnë në muajin dhjetor të këtij vit, gjashtë muaj para afatit të parashikuar, duke nënvizuar se ky projekt është në kuadër të investimeve që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe OSHEE-ja po ndërmarrin në rrjetin elektrik me qëllim rritjen e standardeve.

Ky projekt do të mbulojë me rrjet elektrik 20 kV zonat: Yzberish pallate,  Kombinat Qendër dhe periferi (rrugët HakiStermilli, LlambiBonata, Kroi i Banës, Vangjel Ceco, Altin Basha, Hazbi Serani), ish Kombinati tekstileve, bizneset brenda ish kombinatit, pjesën veriore dhe jugore te Kombinatit , zonën përgjatë rrugës nacionale Tiranë –Durrës, nga ish TEC deri tek Ura e Beshirit, zona e Sharrës – deri tek Landfilldi i Sharrës,  zonën Administrative Vaqarr deri në Damian si dhe fshatrat që janë gjatë rrugës së Prushit deri në Gropaj.

Top Channel