Opozita e re zyrtarizoi grupet parlamentare. Rudina Hajdari do të drejtojë grupin parlamentar të PD-së, për të cilin tha se, synim kryesor do të ketë përfaqësimin e të gjithë demokratëve që janë kundër djegies së mandateve, denoncimin e korrupsionit të qevërisë, si dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Ndërsa grupi tjetër parlamentar do të quhet “i pavarur”, me kryetar Nimet Musain e LSI-së, i cili deklaroi se do të jenë aktorë të dorës së parë në mbështetje të reformave jetike për vendin.

Në interpelancën me ministrin Sandër Lleshaj, deputeti i LSI-së Ralf Gjoni tha se grabitja në Rinas ka cënuar sigurinë kombëtare, e cila nuk mund të lihet në duart e koncesionarit.

“Grabitja në ambientet e aeroportit ndërkombëtar tregon se sundimi i ligjit dhe siguria e qytetarëve shqiptarë, por edhe e atyre të huaj në territorin tonë, janë në nivele të papranueshme për një vend anëtar të NATO-s”, tha Ralf Gjoni.

Ministri Sandër Lleshaj i tha Parlamentit se ngjarja është e rëndë, pasi kanë dështuar disa hallka të sigurisë në aeroport, madje shqetësimi kryesor i tij është një ligj i votuar nga Parlamenti.

“Nuk është një ngjarje apokaliptike, nuk është një shkatërrim i sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Me një ligj të miratuar këtu në Kuvend para 15 vitesh, përgjegjësia e sigurisë së aeroportit të Rinasit i është transferuar një kontraktori privat. Sigurisht, unë nuk do ta kisha votuar kurrë dhe s’do ta kisha kuptuar kurrë këtë vendim, ndërkohë që askush nuk e ka sulmuar apo adresuar asnjëherë faktin bazë, që çështja e rëndësishme e sigurisë së aeroportit të Rinasit është transferuar në duar private”, tha ministri Sandër Lleshaj.

Zoti Lleshaj tregoi se çfarë është duke ndodhur me hetimin.

“Masat e marra nga policia, reagimi i saj i shpejtë dhe i vendosur, kanë siguruar prova të rëndësishme të cilat japin shpresë të madhe për sukses në hetimin dhe zbardhjen përfundimtare të ngjarjes. Besimi i autoriteteve përkatëse është shumë i fortë që ngjarja do të zbardhet përfundimisht, kemi të bëjmë me një grabitje prej autorësh profesionistë, të cilët kanë arritur të shpërthejnë edhe zona sigurie më të mëdha, një burg të sigurisë së lartë në një vend anëtar të Bashkimit Europian, janë larguar prej andej të gjithë, kanë vrarë edhe punonjës policie”, tha ministri Lleshaj.

Deputeti demokrat Myslim Murrizi e quajti Komisariatin e Rinasit si të dalë boje. Sipas tij, në aeroport janë të punësuar 780 punonjës që vijnë nga një zonë me kriminalitet të lartë, të cilët duhen të kalojnë në filtrat policore.

Top Channel