Organizata “Gazetarët pa kufij”, me seli në Paris, në raportin për lirinë e medies vlerëson se urrejtja ndaj gazetarëve në nivel botëror është shndërruar në dhunë duke nxitur shtimin e frikës.

Sipas raportit Kosova radhitet në vendin e 75-të, tre vende më mirë sesa një vit me parë.

“Situata politike në Kosovë u bë më e tensionuar dhe me e paqëndrueshme në vitin 2018, si rezultat i afrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la qeverinë e Kosovës në një izolim diplomatik. Mungesa e transparencës së qeverisë mbi marrëdhëniet me Evropën, nxitën reagime të fuqishme të publikut dhe gazetarëve”, thuhet në raport.

Raporti thekson se media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa qeveria ka akuzuar gazetarët se janë “tradhtarë” ose “simpatizantë të serbëve”.

Në raport theksohet se “ndarjet etnike në Kosovë janë burim i problemeve mjaft shqetësuese për gazetarët e pakicës serbe. Mediet e këtij komuniteti janë shpesh shënjestër e sulmeve verbale, atyre kibernetike dhe fushatave të medieve pro qeveritare”.

Por raporti thekson se “peizazhi media është relativisht pluralist – të paktën në shikim të parë – dhe shumë media kanë pronarë që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta politike, gjë që siguron politika editoriale dhe opinione më të shumëllojshme”.

Top Channel