Robert Bosch: Vizat? Luftë e brendshme në Holandë. Sqaroni holandezët që do të vijnë në Shqipëri

17/04/2019 15:07

Robert Bosch, ish-ambasador i OSBE-së në Tiranë e më pas ambasador i Holandës në Kosovë, ka një shpjegim për votën kundër Shqipërisë që dha vendi i tij. Zoti Bosch, njohës i mirë i realitetit shqiptar thotë se, të gjithë në Shqipëri duhet të punojnë për të ndryshuar këtë perceptim të vendit tonë në Holandë.

Ai shpjegon se është një çështje e brendshme e disa deputetëve për të treguar sesa ata janë kundër krimeve dhe sa të dëmshëm janë të huajt. “Muajin e ardhshëm në Shqipëri do të jenë disa deputetë holandezë”, thotë zoti Bosch në një intervistë për Top Channel. “Ndaj është momenti që të punohet për të ndryshuar qëndrimin e tyre”, shton ai. Intervistën me ish-ambasadorin Bosch e realizoi gazetari Muhamed Veliu.

Muhamed Veliu: Si e shikoni vendimin e Parlamentit të Holandës për të aktivizuar “mekanizmin e emergjencës” së heqjes së liberalizimit të vizave me Shqipërinë?

Robert Bosch, ish-ambasador i OSBE në Tiranë: E kam ndjekur debatin në Parmalent gjatë mbrëmjes së të mërkurës. Mund t’iu them se jam i tronditur nga e gjitha kjo. Ishte një debat shumë i çuditshëm, nga ku ministri i vendit tim, që vizitoi pak kohë më parë vendin tuaj, prezantoi shumë fakte, por Parlamenti dhe posaçërisht deputetja Toorenburg nuk i dëgjoi, megjithëse ministri që vjen nga partia e saj tha se “po, ekziston një problem me kriminalitetin shqiptar në Holandë, por ky është një problem i vogël. Diçka më pak se 0.2% të totalit të krimeve e zënë shqiptarët”. Prandaj, e theksoj se ishte një debat shumë i çuditshëm, nga ku faktet e prezantuara nuk luajtën asnjë rol, sikurse ajo çfarë tha ministri u injorua tërësisht dhe sinqerisht nuk ua them dot përse.

Muhamed Veliu: Cili është motivi pas këtij zhvillimi, sipas jush?

Robert Bosch, ish-ambasador i OSBE në Tiranë: Sinqerisht që nuk e di. Por, di që shumë nga ata që votuan pro nuk e kanë pasur këtë mendim më parë, por ndryshuan mendje. Unë kam folur me disa prej tyre duke i prezantuar disa fakte. Çuditërisht, një ditë përpara votimit, pra të martën, një artikull i gjatë për kriminalitetin shqiptar u publikua në një gazetë serioze dhe më e mira në vendin tonë. Përsëri një shkrim me doza të theksuara negative për vendin tuaj dhe krimin shqiptar në Holandë. Kjo më duket e çuditshme, pasi është gazeta më e respektuar në Holandë. Në shkrim thuhej se shqiptarët janë numri 1, si njerëz të dhunshëm. Kjo nuk është aspak e vërtetë. E gjitha kjo që u publikua është e pabesueshme dhe natyrisht, deputetët kur lexojnë një shkrim të tillë ndryshojnë mendim. I kam shkruar kësaj gazete. U thashë atyre se do t’i dërgoj faktet dhe ajo çfarë kanë shkruar është e papranueshme.

Muhamed Veliu: Ky vendim i Parlamentit tuaj, në Shqipëri është komentuar si një goditje për qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Doja t’iu pyes, a ishte ky votim një goditje për qeverinë shqiptare, apo një çështje tërësisht e brendshme e Holandës?

Robert Bosch, ish-ambasador i OSBE në Tiranë: Mendoj se kjo është një çështje e brendshme e disa deputetëve për të treguar sa shumë ata janë kundër krimeve dhe sa të dëmshëm janë të huajt. Siç e thashë, vetëm 0.2% e krimeve lidhen me shqiptarët. E gjithë kjo është një ofendim i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është koha për të gjitha partitë në Shqipëri, përfshi opozitën dhe qeverinë, të ngrihen e të thonë se, e gjithë çfarë shkruhet e diskutohet nuk jemi ju. Natyrisht ata duhet të thonë se vendi juaj, si çdo vend ka elementë kriminalë, por e përgjithshmja anon te njerëzit e mirë. Duhet ta bëjnë të qartë që shqiptarët nuk janë ata siç përshkruhen. Kjo duhet t’i përfshijë të gjithë. Edhe nëse ju përfaqësoni opozitën, përfaqësoni vendin dhe popullin që është ofenduar. Në këtë rast nuk është ofenduar qeveria, por populli i Shqipërisë në një formë ekstreme dhe kjo është totalisht e papranueshme.

Muhamed Veliu: Një hap i tillë i ndërmarrë nga Holanda, mendoni se mund të ketë efekt domino dhe të shtrihet në vende të tjera të BE-së?

Robert Bosch, ish-ambasador i OSBE në Tiranë: Supozoj që jo, sepse ka rregulla të caktuara dhe se qëndrimi i qeverisë suaj ishte ‘OK’. Sistemi i vizave po keqpërdoret nga shqiptarët që duan të shkojnë në Angli, e kjo nuk ka të bëjë me krimet dhe të tillë njerëz lehtësisht mund të dëbohen, siç edhe kërkoi qeveria shqiptare gjatë takimit me ministrin tonë disa ditë më parë.

Muhamed Veliu: Në qershor, Këshilli i Ministrave të BE-së do të vendosë për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Besoni se zhvillimi i fundit në Parlamentin e vendit tuaj do të kontribuojë në një qëndrim negativ ndaj Shqipërisë, për të hedhur hapin e radhës drejt BE-së?

Robert Bosch, ish-ambasador i OSBE në Tiranë: Në atë debat në Parlament, ministri i Punëve të Jashtme është shprehur se, “po, ne do të votojmë kundër pasi Shqipëria nuk është ende gati”. Nuk e kuptoj dhe nuk e di se ku e bazon ai këtë, që Shqipëria nuk është gati. Ai e tha këtë, kemi kohë dhe unë do të bëj më të mirën time për ta ndryshuar këtë perceptim. Një delegacion nga Holanda do të vizitojë Shqipërinë muajin që vjen, e kjo është një mundësi e mirë për të treguar progresin që jeni duke bërë. Kjo duhet bërë në mënyrë konstruktive dhe pa doza propagande. Realiteti mjafton dhe s’ka nevojë për propagandë.

Top Channel