Lewis Hamilton befason të gjithë, për më tepër tifozët e Ferrarit në garën e tyre të preferuar të Bahreinit, duke triumfuar kështu në Çmimin e Madh të vendint të gjirit, falë edhe gabimeve dhe fatit të keq të Vettel dhe Leclerc.

Dy pilotët e “kokëkuqes” italiane e nisën garën e Bahreinit në dy vendet e para, me Leclerc në krye, i cili u parakalua që në nisje nga gjermani 4 herë kampion i botës, Vettel, por rokada e vendeve nuk do të vononte.

Vettel do të ndëshkohej nga një gabim i tij, i gjendur nën presionin e Hamiltonit, teksa pasi dëmtoi njëvendëshen e tij u detyrua të bënte ndalesën e tretë në “pit stop”. Kjo ndalesë e paparashikuar nuk e lejoi të ngjitej më shumë sesa vendi i pestë në përfundim të garës.

Hamilton përfitoi gjithashtu nga fati i keq i Leclerc, i cili edhe pse gjenden në kryesim të garës, i pashqetësuar, pësoi një defekt në motor që i ngadalësoi ritmin dhe e detyroi të dorëzonte frerët e garës kur kishin mbetur 12 xhiro nga fundi.

Talenti i ri i Ferrarit e mbylli në vendin më të ulët të podiumit, pasi u parakalua edhe nga finlandezi i Mercedesit, Bottas, ndërsa i shpëtoi për mrekulli sulmit të Verstappenit.

Top Channel