Thellohet skandali i dhënies së nënshtetësisë shqiptare dy shtetasve indian të kërkuar në vendin e tyre, për një mashtrim të disa bankave në vlerën mbi 725 milionë dollarë.
Top Channel ka zbuluar se njëri nga dy vëllezërit indian Nitin Sandesara është bërë konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri.
Megamashtrimi prej 725 milion dollarë i Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara ka ndodhur në periudhën kohore 2008-2011 por do të zbulohej ne 2018, kur një prej drejtorëve të bankave iu kap një pagesë rryshfet dhënë nga dy vëllezërit.
Vëllezërit Sandesara dhe dy drejtuesit e kompanive të tyre u shpallën në kërkim nga drejtësia indiane por mundën të arratiseshin për Emiratet e Bashkuara.
Nga Emiratet e Bashkuara Nitin Sandesara shkon në Nigeri dhe nga ku në rrethe ende të paqarta arrin të bëhet konsull i Shqipërisë atje, në një kohë kur ishte njeriu më i kërkuar në Indi. Koha kur Nitin Sandesara ka shkuar në Nigeri dhe është bërë konsull nderi përkon me kohën kur Ministrinë e Punëve të Jashtme e drejtonte Ditmir Bushati. Vajtja e Nitin Sandesara në Nigeri lidhet edhe me një fakt tjetër atë të mospasjes së ekstradimit me Indinë.
Pas marrjes së detyrës së konsullit të nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara dhe vëllai i tij kane marrë nënshtetësinë shqiptare dhe si garant për ta ka dale një minister shqiptar duke përdorur si arsye pikën 7 të nenit 9 të ligjit për nënshtetësinë, ku parashikohet se: “Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar”.
Të qenurit konsull nderi i Shqipërisë e ka ndihmuar Nitin Sandesara të ndihmojë edhe të vëllanë Chetankumar Sandesara në marrjen e nënshtetësisë shqiptare.
Nitin Sandesara me marrjen e titullit konsull dhe një pasaporte diplomatike i ka përdorur ato si një mburojë diplomatike ndërsa vendi i tyre India kishte nxjerrë urdhër ndërkombëtar arrestimi.
India i kërkoi Nigerisë ekstradimin, por pasi mësuan se dy mashtruesit ishin bërë shqiptare, kërkesa për ekstradim ju nis Tiranës. Autoritetet shqiptare, Ministria e Jashtme, ajo e Brendshme, ministria e Drejtësisë dhe Presidenca ende nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim se si dy biznesmenët më të kërkuar në Indi janë kthyer në shqiptarë me imunitet diplomatik.
Top Channel