Kryeministri Rama, i cili ishte i ftuar në studion e “Top Show”-t të Alban Dudushit mbrëmjen e së martës, në prani edhe të disa prej studentëve që protestojnë prej më shumë se një jave në rrugë, përpara Ministrisë së Arsimit, nisi të përgjigjej thuajse një për një të gjitha kërkesave.

Një nga pyetjet nga studentët në studio ishte se çfarë do të bëhej me tarifat, për të cilat kërkohet përgjysmim. Mario Hysenlliu, student nga Inxhinieria e Ndërtimit i tha kryeministrit të tregonte nëse ishte i gatshëm që t’i plotësonte pikat e parashtruara nga protestuesit, pasi këtë duan të dëgjojnë studentët sot.

“Unë kam qenë në protestë çdo ditë. Kauza është reale dhe kanë nevojë të dëgjojnë nga kryeministri, nëse është i gatshëm që t’i plotësojë pikat. Këtë duhet të dëgjojnë studentët sot”, tha Mario.

Kryeministri Rama tha se për tarifat, ai vet nuk ka asgjë në dorë, përkundrazi studentët nuk kanë përse duhet të trokasin te Kryeministria, por të shkojnë te dekadët e universiteteve të tyre, pasi tarifat i vendos vet universiteti, duke respektuar autonominë e tyre.

Autonomia është një përgjegjësi për të cilën ai që e gëzon kërkon lirinë për të vepruar. Atëherë për uljen e tarifave apo për përgjysmimin e tyre duhet të diskutohet. Sipas kryeministrit Rama shpjegoi ndërkohë edhe ofertën e tij, që pavarësisht se tarifa nuk hiqet, atë ta paguajë shteti për studentët e shkëlqyer me 9-a dhe me 10-a.

Por, kryeministri theksoi gjithashtu se edhe fëmijët që vijnë nga rrethet në kryeqytet, për të studiuar mes shumë vështirësive financiare të familjeve të tyre, meritojnë gjithashtu të përkrahen financiarisht.

Top Channel