Historiani, politikani dhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, ishte i ftuar në studion e emisionit “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja.

Zoti Milo foli për deklaratat e forta të kryeministrit Edi Rama.

“Nuk është hera e parë që Rama i bën vetes reklamë agresive kur shkon në Kosovë. Rama nuk shquhet për fjalor diplomatik. Është një kryeministër atipik, me karakteristikat e veta, që nuk pyet shumë për rregulla dhe paraqitje protokollare. Këtë gjë bënte edhe si kreu i Bashkisë së Tiranës. Fjalori i tij në Pejë dhe kritikat ndaj komunitetit ndërkombëtar nuk ishin të parat e as do të jenë të fundit sepse shquhet për karakter të fortë. Ky lloj protagonizmi ka të bëjë dhe me atë që Shqipëria gjithmonë e ka mbështetur Kosovën, por vjen natyrshëm sepse Shqipëria është konsideruar si shteti amë nga kosovarët. Shqiptarët e Kosovës i kanë drejtuar sytë nga ne dhe i kanë dhënë të drejtën e përkujdesjes. Disa qëndrime të Ramës, si për çështjen e vizave, Kosova i mirëpriti”, deklaroi Milo.

Por, Milo e cilësoi term të palejueshëm për një kryeministër fjalën “gomar” që përdori për të sulmuar kritikët e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Një njeri i politikës nuk duhet të përdorë terma të tilla në adresë të kritikëve. Mendoj që e tejkaloi pozicionin dhe fjalorin politik të një kryeministri”, theksoi Milo.

Në lidhje me mbledhjet e dy qeverive, Milo u shpreh se këto takime “jo gjithnjë kanë provuar efekte konkrete apo kanë shënuar hapa përpara në intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”.

“Shpesh janë cilësuar vetëm si dekor politik për të qetësuar ujra që qarkullojnë brenda ekipeve respektive apo për të hequr vëmendjen ndaj ngjarjeve të politikës së brendshme”, shpjegoi Milo.

Top Channel