Që referendumi për ndryshimin e emrit të dakordësuar me Greqinë të ketë sukses këtë të diel në Maqedoni do të duhet që të dalin 904 mijë persona e të votojnë e 50%+1 e tyre të votojnë pro tij.

Përmes një lidhje live me Skype, deputet i BDI, Artan Grubi, u shpreh në emisionin “Top Show” se shqiptarët janë të vendosur që të dalin e të votojnë “pro” referendumit mbi marrëveshjen e arritur me Greqinë për emrin e ri të Maqedonisë.

Por sipas Grubit opozita maqedonase, VMRO-DPME, si edhe ndërhyrjet ruse synojnë që ky referendum të dështojë.

“Lideri i VMRO-DPME ka ftuar elektoralin të votojnë me baza emocionale, apo edhe ta bojkotojnë referendumin. Duhet të dalin e të votojnë minimalisht gjysma e elektoratit, që janë 904 mijë vota. Uroj që të mos ketë një skenar malazez në vend, që të dështojë referendumi, që do ta linte jashtë BE-së dhe NATO-s Maqedoninë. Ministri i jashtëm rus, Lavrov ka deklaruar shpesh se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO prish balancat”, tha Grubi.

Më tej ai sqaroi se vota e së dielës është më tepër konsultative mbi opinionin e qytetarëve se sa vendimtare mbi marrëveshjen.

“Referendumi nuk është obligativ, por konsultativ. Ka rëndësi të madhe politike, pasi deputetët duan të kenë mbështetjen e njerëzve në ndryshimin e Kushtetutës”, u shpreh deputet i BDI, Artan Grubi.

Top Channel