“Hell’s Kitchen”, së shpejti në Top Channel. Audicionet vazhdojnë

18/09/2018 17:34

Renato Mekolli do të rikthehet së shpejti në ekranin e Top Channel, aty ku u bë i njohur për të gjithë publikun me formatin “Masterchef”. Këtë sezon ai rikthehet në Top Channel me një “reality-show” që mban emrin “Hell’s Kitchen” (Kuzhina e Djallit).

Ky program është një nga më të njohurit në të gjithë botën në fushën e gastronomisë dhe numëron 17 sezone të suksesshme në Amerikë. Olsa Muhameti, autore e “Hell’s Kitchen”, dha disa detaje për emisionin e ri në studion e “Ftesë në 5”.

“Do të jetë program që në qendër do të ketë konkurrentin. Do të ketë dy skuadra, një blu dhe një e kuqe. Do të jenë të gjithë konkurrentë profesionistë. Audicionet vazhdojnë të jenë të hapura. Të interesuarit duhet të jenë mbi 18 vjeç dhe të kenë punuar në kuzhinë që të përballojnë presionin. Është një program shumë i madh, me patentë dhe kjo e bën një program shumë impenjativ. Shef Renato ka personalitetin e tij dhe do të luajë veten e tij. Nuk do të imitojë Gordon Ramsey-n, por do të jetë Renato Mekolli”, u shpreh Olsa Muhameti.

Ndërsa shefi Renato Mekolli bëri të qartë se do të kemi të bëjmë me “një arenë lufte brenda në kuzhinë”.

“Nuk ka shaka, as tolerime. Kam dashur shumë kohë që ta sillja në Shqipëri, që njerëzit të shikojnë çfarë ndodh aty. Pse ka vonesa? Pse ka pakënaqësi? Nga njëra anë ka të drejtë gjithmonë klienti, por nga ana tjetër edhe shefi ka të drejtë kur bërtet, nuk mund ta marrë qetë situatën. Këtë do të tregojmë në kuzhinën e “Hell’s Kitchen”, deklaroi Mekolli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA