30 vjet me “Elita 5”. Grupi nga Tetova, koncert në Tiranë për albumin e ri “Tornado”

31/08/2018 15:48

Ekipi i qytetit të Tetovës nuk shkëlqeu dje, por nga ky qytet vjen një grup muzikor që nuk e humb shkëlqimin prej 30 vitesh. Ata janë Elita 5, pionerët e rokut shqiptar, këngët e të cilëve i njohin të gjithë. Djemtë e Elita 5 po përgatisin një koncert që do të mbahet në Amfiteatrin e Tiranës për të festuar 30-vjetorin e bashkimit të tyre si dhe të prezantojnë albumin e ri “Tornado”. Me solistin e grupit, Arif Zyberi, Besim Ibrahimin dhe Nexhat Mujovin bisedoi Jetona Koçibelli.

Askush nuk mund të mos ketë ngelur i prekur nga emocioni që shkakton Elita 5. Me muzikën e tyre të ndierë, me stilin “rock” dhe me magjinë e sharmin e tyre, kur vjen puna tek legjendarët ne i përulemi suksesit të tyre. Elitarët janë pesë, ashtu siç e filluan para 30 vitesh. Me Al Capone, Sajzezën, E urrej shiun, Udhëtari i natës, e deri tek më të fundit, Nuk jam unë diktator, Çmendem e së fundmi Tornado.

Artifi, Mevaipi, Besimi, Agroni, Valoni e Nexhati si producent erdhën në Tiranë për të filluar përgatitjen për koncertin e madh të 30-vjetorit të tyre, në Amfiteatrin e Liqenit, organizuar nga Bashkia Tiranë.

Pse në Shqipëri?

“Duhet ta pranojmë për gjithë shqiptarët që jemi jashtë kufijve të Shqipërisë, kryeqendra e shqiptarisë ka qenë Shqipëria dhe Tirana. Dhe jo rastësisht ky koncert do të zhvillohet në Tiranë”, thotë vokalisti.

Grupi është krijuar në 1988. Si ishit atëherë? Të njëjtë apo me ëndrra më të mëdha?

Ëndrrat e atëhershme janë bërë realitet. Vetëm mosha na ka ndryshuar.

Kush ju ka bërë që t’i shkruani kaq bukur baladat? Stili apo dashuria?

Muzikën e bën Virusi, tekstet i bën ekipi ynë. Kjo nuk do të thotë se nuk bëjmë tekste, pasi të gjitha baladat kanë qenë me sugjerimin tonë. Janë historitë tona.

Ka patur shumë momente të rëndësishme historike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni përgjatë këtyre dekadave, si kanë ndikuar ato në artin tuaj?

Po normale që ka ndikuar, sipas situatës që ka qenë, ashtu edhe kemi krijuar. Jeta e përditshme është ajo që të motivon të krijosh diçka, qoftë mllefi, qoftë dashuria…

E kujtoni besoj koncertin e madh kur erdhi grupi “Scorpions” në Tiranë?

Ka qenë një moment shumë i vështirë për ne, pasi ndërkohë që shfaqej koncerti, ne në Maqedoni kishim luftën dhe më kujtohet një rast që kur filloi koncerti, pjesa e Scorpions, u ula në publik dhe thirra shoqen time dhe i thashë dëgjojë Scorpions. Dhe ajo tha shumë bukur, por dëgjo ti çfarë po ndodh këtu, në Tetovë. Kishte krisma të mëdha. Ishte një eksperiencë shumë e madhe për ne, që do ta kujtoj gjatë gjithë jetës sime.

Përveç të tjerash keni krijuar edhe një imazh tepër të qëndrueshëm si një grup stoik që i ka rezistuar kohës. Çfarë ju ka mbajtur gjatë për kaq shumë kohësh?

Na ka mbajtur shoqëria, sepse jemi të një qyteti. ka qenë ajo në fillimet që kemi qenë edhe jemi njohur fqamiljarisht. Ndërsa në punë na ka mbajtur korrektësia ndaj punës dhe publikut.

Çfarë do të na këndoni?

Do të këndojmë këngë nga repertori i Elita 5, kemi bërë një përzgjedhje shumë reale duke u bazuar në Youtube, se cilat këngë janë më të kërkuara.
Shpresojmë që edhe publiku t’i këndojë këngët, për mua do ishte dështim koncerti nëse nuk këndojmë bashkë atë natë.
Uroj që atë natë mos e urrej shiun, të kemi një kohë të bukur. por besoj se nuk do të kemi shi.

Top Channel