I sëmurë rëndë, senatori McCain ndërpret trajtimin mjekësor

24/08/2018 17:33

Senatori republikan John McCain ka vendosur të mos vijojë më me kurat për të luftuar tumorin në tru. Lajmi është njoftuar nga familja e tij, këtë të premte, përmes një komunikate të shpërndarë për mediet.

McCain, 81 vjeç, u diagnostikua me një formë agresive tumori në tru verën e vitit të kaluar, e prej korrikut të 2017-s i është nënshtruar trajtimit mjekësor.

Ai u largua nga Uashingtoni për të qenë pranë familjes së tij në Arizona, e megjithatë, gjatë kësaj kohe ka qenë një nga figurat politike më të zëshme. Shpesh ai ka dalë hapur dhe me kritika të ashpra ndaj presidentit aktual, Donald Trump.

Në njoftimin për mediet amerikane, familja e tij shprehet se, vitin e kaluar, senatori John McCain ndau me amerikanët lajmin që vet familja e tij e dinte prej pak kohësh.

“Ai ishte diagnostikuar me glioblastoma agresive dhe parashikimet ishin serioze, për të mos thënë të zymta. Në harkun e një viti, John i ka tejkaluar pritshmëritë për mbijetesën e tij. Por, avancimi i sëmundjes dhe mosha duket se kanë dhënë verdiktin e tyre. Me forcën e tij të zakonshme, ai ka vendosur të ndërpresë trajtimin mjekësor”.

Përmes “Twitter”-it, vajza e tij Meghan McCain tha se familja e saj “ishte thellësisht mirënjohëse për të gjithë dashurinë dhe bujarinë” që kishin marrë përgjatë vitit të fundit.

Një veteran i luftës së Vietnamit, McCain kaloi më shumë se 5 vite si i burgosur lufte. Senator prej 6 mandatesh, si dhe kandidat presidencial në vitin 2008, ai u diagnostikua me sëmundjen e rëndë, pasi doktorët zbuluan një tumor gjatë një operacioni tjetër korrikun e vitit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA