Nis rehabilitimi i Unazës së Mesme, Veliaj: Do të vijojmë ritmin e modernizimit me Teatrin e ri

16/07/2018 13:04

Bashkia e Tiranës ka nisur projektin për rehabilitimin e Unazës së Mesme, me qëllim përmirësimin e sistemit të qarkullimit për automjetet dhe shtimin e korsive për biçikleta. Gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në disa segmente të Unazës, pranë Njësisë Nr. 7 në kryeqytet, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se ndryshimi vjen pasi vihet dorë dhe shprehu bindjen se Tirana do të vazhdojë me këtë ritëm të modernizimit edhe për Teatrin e ri Kombëtar dhe Piramidën.

“E patëm një alternativë që s’prekte gjë me dorë dhe flinte gjumë. E kishim katër vjet dhe e dimë si përfundoi. Jam shumë i bindur se Tirana do të vazhdojë ritmin e modernizimit. Siç kishim debat për Parkun e Liqenit, ja ku është sot; siç kishim debat për Pazarin e Ri, ja ku është sot; siç kishim debat për sheshin “Skënderbej”, ja çmimet që po merr sot; siç kishim debat për Bulevardin e Ri, ja aksi i hapur për Tiranën e 50 viteve në vazhdim. Ashtu do të kemi edhe një Teatër të ri, do të kemi një Piramidë të re. Vënia dorë në qytet sjell progres, ndryshim, modernizim dhe prosperitet për Tiranën”, theksoi Veliaj.

Veliaj nënvizoi se kantieri i hapur sjell për kryeqytetin një revolucion në mënyrën e transportit publik. “Kantieri që është hapur sot është një kantier fantastik sepse sjell një revolucion në mënyrën e transportit publik në Tiranë. Duke filluar nga Brryli, te Ministria e Jashtme e deri te “Vasil Shanto”, pjesa e korsisë së lumit të Lanës do të jetë e dedikuar për biçikleta, ndërsa pjesa tjetër për transportin publik dhe makinat private. Autobusi do të ketë korsi të dedikuar në ato pjesë të Unazës ku zakonisht ka edhe trafikun më të madh ose ka edhe më shumë semaforë. Duke bërë këto ndërhyrje, inkurajojmë një transport alternativ”, tha ai. Kreu i Bashkisë u shpreh se është inkurajues fakti që ndërtimi i korsive për lëvizjen me biçikleta ka shtuar edhe numrin e përdoruesve të dyrrotakëve në kryeqytet.

Ai shtoi se kjo periudhë e verës do të shfrytëzohet maksimalisht për përfundimin e një sërë investimesh të rëndësishme, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, të gjejnë një Tiranë tërësisht të transformuar.

“I kemi dhënë një ritëm të jashtëzakonshëm punëve në Tiranë. Po shfrytëzojmë maksimalisht korrikun, gushtin, kur Tirana është pak më e lirshme, duke qenë se njerëzit ikin me pushime, që bashkia të jetë në krye të detyrës dhe punët që mund të ishin bërë në mars e në prill, të cilat u vonuan prej shirave, t’i kompaktojmë gjatë periudhës së pushimeve, që kur qytetarët të kthehen në shtator të gjejnë një Tiranë totalisht të transformuar”, tha Veliaj.

Investimi parashikon ndërhyrjen në disa segmente të Unazës për përmirësimin e qarkullimit të automjeteve në disa kryqëzime, duke realizuar një korsi të dedikuar për biçikleta përgjatë bulevardit ”Zhan D’Ark” dhe bulevardit ”Gjergj Fishta”, si dhe duke riasfaltuar segmentet e amortizuara të Unazës së Mesme.

Projekti përfshin ndërhyrjen dhe përmirësimin e disa kryqëzimeve si më poshtë:

1. Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Myslym Shyri”
2. Kryqëzimi i rrugës “Jordan Misja” me rrugën “Asim Vokshi”
3. Kryqëzimi i Bulevardit “Zogu I” me rrugën “Reshit Petrela”
4. Kryqëzimi i rrugës “Arkitekt Kasemi” me bulevardin “Zhan D’Ark”
5. Kryqëzimi i Rrugës “5 Maji” me rrugën “Ferit Xhajko”
6. Kryqëzimi i Rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”
7. Kryqëzimi i Rrugës “Siri Kodra” me rrugën “Ferit Xhajko”
8. Korsitë e Biçikletave në BLV “Zhan D’Ark” dhe BLV “Gjergj Fishta”

Top Channel