Mediat botërore janë mbushur me lajme për rreth 2000 fëmijë emigrantësh, nga 5 vjeç e sipër, të cilët mbahen në kampe të ngjashme me kafazet, me javë e me muaj të tërë. Fëmijët janë kapur në kufi nga patrullat amerikane kur kanë qenë me familjarët e tyre, por janë ndarë nga prindërit, të cilët burgosen dhe ndiqen penalisht nga shteti amerikan për shkelje të paligjshme të kufirit.
Një regjistrim zanor tregonte se si fëmijët, të rrethuar nga gardhe me rrjeta hekuri, qanin në kor dhe kërkonin prindërit, të cilët i kanë larg, të burgosur edhe në shtete të tjera.
Përfaqësues të qeverisë Trump thonë se kohët e fundit ka pasur shumë azilkërkues që hynin në Amerikë në mënyrë të paligjshme e me fëmijë të vegjël. Ata nuk mbaheshin të mbyllur në qendra ndalimi, në pritje sa t’u shqyrtohej kërkesa për azil. Autoritetet i linin të lirë, për shkak të fëmijëve, deri ditën kur duhej të paraqiteshin për vendimin. Por në shumicën e rasteve nuk paraqiteshin më dhe vazhdonin jetën e paligjshme në Amerikë.
Sipas administratës, kjo ishte kthyer në metodë për të përfituar nga boshllëqet e sistemit dhe kishte shtuar ndjeshëm numrin e emigrantëve të paligjshëm. Për këtë arsye, qeveria vendosi të mos i lirojë prindërit me fëmijë, por as nuk i kanë mbyllur fëmijët bashkë me prindërit në burgje, pasi nuk e lejon ligji. Ata vendosën t’ua mbajnë fëmijët të ndarë, në kampe të posaçme, ndërkohë që prindërit gjykohen për krimin e shkeljes së kufirit. Kjo procedurë zgjat disa javë e deri në disa muaj.
Administrata e presidentit Trump nxori fillimisht foto të kampeve ku fëmijët shiheshin duke luajtur videolojëra e duke studiuar. Megjithatë, foto të tjera nga gazetarët treguan që kushtet nuk ishin gjithnjë ashtu. Fëmijët në qendra të tjera mbaheshin në zona të rrethuara me rrjeta teli, si kafaze, shtriheshin mbi dyshekë të vendosur në tokë dhe mbuloheshin me letra alumini. Një audio e regjistruar fshehurazi tregoi se si më të vegjlit qanin në kor e kërkonin prindërit.
Trump dhe zëdhënësit e tij thonë se me disa ndërhyrje ligjore, ata mund të bëjnë që situata e fëmijëve të ndarë të ndryshojë. Por për këtë duhet të votojnë bashkë me demokratët, të cilët, sipas republikanëve, po refuzojnë të bashkëpunojnë. Demokratët, nga ana tjetër, akuzojnë republikanët se u kanë vënë kushte të rënda. Nëse duan të shpëtojnë fëmijët e ndarë, duhet të miratojnë ligje kundër një tjetër kategorie amerikanësh, “DREAMERS”.
Këta të fundit janë fëmijë emigrantësh të ardhur në Amerikë prej shumë vitesh, të sjellë nga prindërit. Pasi janë shkolluar si amerikanët e tjerë, ata kanë marrë një status nga administrata Obama që u lejon ta vazhdojnë jetën aty, të punojnë e të studiojnë normalisht, për sa kohë që nuk kryejnë krime. Trump kërkon ta zhbëjë statusin e tyre e t’i quajë emigrantë të paligjshëm, gjë që mund të çonte në dëbime. Demokratët nuk pranojnë.
Ndërkohë që politikanët në Amerikë vazhdojnë t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit, gazetarja e CNN, Rosa Flores, shkoi në Tijuana të Meksikës që të takojë Ignacio Villatorro, një baba të cilit i kanë kapur gruan dhe katër fëmijët. Ata nuk janë lënë bashkë, por janë shpërndarë në kampe të ndryshme, në tre shtete të ndryshme të Amerikës, pasi bënë kërkesën për azil.
Ai lidhet me një prej djemve në telefon, e sheh djalin 13-vjeçar në video dhe e këshillon të mos shqetësohet, të përpiqet të mësojë anglisht e të sillet mirë. Por dy djemtë e tjerë nuk pranojnë t’ia hapin telefonin të atit. Ata besojnë se janë braktisur nga prindërit, besojnë se e kanë ata fajin, gjë që e bën babain të përlotet përpara kamerave. “Më këputet shpirti, sepse ne nuk i kemi braktisur”, thotë ai.
Ed Lavandera, korrespondent për CNN, thotë se zona e jugut të Teksasit është më e rrahura nga emigrantët e paligjshëm. Ata nisen nga vendet e varfra të Amerikës së Jugut dhe asaj Qendrore, që t’i shpëtojnë varfërisë dhe dhunës. Shumë prej tyre hyjnë fillimisht në qytezën McAllen të Teksasit, ku, pasi kapen nga patrullat, i nënshtrohen politikës me “Tolerancë Zero” të Trumpit.
“Nëse kaloni kufirin në mënyrë të paligjshme, do të ndiqeni penalisht”, tha Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions në maj të këtij viti. “Nëse trafikoni fëmijë përtej kufirit, do të ndiqeni penalisht. Dhe fëmija do të ndahet nga ju, sipas ligjit.”
Gjatë administratës së Obamës dhe të presidentit Bush, ky ligj ka qënë në fuqi po njësoj, por zbatohej vetëm me emigrantët e paligjshëm që riktheheshin në SHBA për herë të tretë ose të katërt. Ndërsa administrata e presidentit Trump zgjodhi t’i ndjekë penalisht që me herën e parë ata që shkelin kufirin, me planin “Toleranca Zero”.
Ideja e tyre është që të shkurajojnë të tjerët që mendojnë të nisen. Kjo gjë ka ndikuar në krijimin e situatës së tanishme. Më parë kishte rreth 20-30 raste të tilla në ditë. Tani janë 200, sipas Miguel Nogueras, avokat në McAllen, Teksas.
Gazetari i CNN, Bob Ortega, hyri në qendrën më të madhe në SHBA ku mbahen fëmijët e veçuar nga prindërit emigrantë.
“Vizitova një qendër për fëmijët e emigrantëve, Casa Padre, të organizuar në një ish supermarket të Walmart, rreth 23,000 metra katrorë. Aty mbahen 1500 djem, nga 10 deri në 17 vjeç”, thotë gazetari, duke shtuar se shëtitja që i ofruan drejtuesit e qendrës ishte më shumë për të treguar vetëm anën e mirë, por pa u dhënë mundësinë gazetarëve të intervistonin fëmijët ose stafin.
“Ata na lejuan në mënyrë që të shihnim se fëmijët po trajtoheshin mirë. Dhe nga ajo pikëpamje, kjo qendër është e pastër, fëmijët po ushqehen mirë, por mbetet qendër ndalimi. Hymë kur djemtë sapo do të hanin darkën, dhe radha e fëmijëve që bëheshin gati të merrnin ushqimin ishte shumë e gjatë. Djemtë flenë 5 veta në një dhomë,” shton ai.
Top Channel