Në një ceremoni të veçantë, autori Virgjil Muçi u nderua këtë të premte në ambientet e UET, me çmimin “Kadare” për vitin 2018, çmim dhënë nga Instituti Europian “Pashko”, për romanin tij të fundit “Piramida e shpirtrave”.

“Jam dyfish i nderuar që marr këtë çmim për arsye se ky çmim lidhet me dy emra të shquar të europianizimit të Shqipërisë e shqiptarëve: me mikun Gramoz Pashko dhe me Ismail Kadarenë me veprat e të cilit u rritëm. Ishte shkolla jonë e parë për të shkruar një letërsi moderne në një kohë kur letërsia jonë ishte e varfër dhe skematike”, thotë autori, Virgjil Muçi.

Ky është edicioni i katërt i çmimeve Kadare, një nismë që për themeluesin e saj do të jetë jetëgjatë.

“Në katër vite posaçërisht për këtë çmim janë shkruar 104 vepra letrare. Nuk mendoj se duhet një shifër tjetër për ta quajtur këtë projekt të sukseshëm dhe për të thënë që efekti i tij nxitës ia ka vlejtur. Përvoja e këtyre katër viteve do të na bëjë që edicionin e pestë dhe jubilar ne të strukturojmë këto pozitivitete që ka sjell ky projekt letrar”, deklaron Henri Çili, botues UET Press.

Top Channel