Euro nis të rritet; Ekspertët: Në 5 muaj dëmtoi rëndë eksportet

07/06/2018 20:13

Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të blerë euro në treg ka dhënë efekte të menjëhershme në kursin e këmbimit. Këtë të enjte monedha evropiane u forcua me gati 0.8 lekë krahasuar me një ditë më parë.

“Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë shkon në rrugën e duhur, në fakt prej disa kohësh në veçanti në muajin e fundit, ka pasur një intensitet shumë të ndjeshëm në tregun valutor, duke bërë që leku të fuqizohet në mënyrë të ekzagjeruar, të pajustifikuar nga zhvillimet e ekonomisë. Rreziqet që mund të sillte për të ardhmen e ekonomisë, për eksportet në veçanti, ishte goxha serioze”, shprehet Selami Xhepa.

Adrian Civici, ish-anëtar i këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, shpjegon se ndërhyja e bankës e ndikon kursin e këmbimit në dy drejtime, së pari duke hequr euron e tepërt nga tregu dhe së dyti duke rritur ofertën e lekut.

“Në aspektin e masës monetare, të sasive të euros për ta zvogëluar atë në mënyrë të blerjes direkte përmes Bankës së Shqipërisë të një sasie të konsiderueshme eurosh. Nga ana tjetër ulja e normës bazë të interesit në 1% presupozon se do të ketë shtim të kredive, lehtësim të kreditimit. Shtimin e lekut në qarkullim”, shprehet ai.

Në 5 muajt e fundit leku është forcuar me një ritëm të paprecedentë ndaj euros, gati 7 për qind. Ky forcim ka goditur rëndë bizneset eksportuese që shesin në euro por kostot I kanë në lekë, si dhe familjet që jetojnë më dërgesat e emigrantëve, pasi tani paratë që u dërgojnë të afërmit kanë më pak vlerë në treg. Por mbi të gjitha rënia e shpejtë e euros kërcënon të ulë çmimet nën nivelin e përshtatshëm, çka do të kishte pasoja të rënda negative për rritjen ekonomike. Por a mund të evitohet ky rrezik me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë?

“Duke qenë se BSH ka të gjithë arsenalin e duhur të mundësive, për të prapësuar këto lloj vendimesh që janë irracionale. Nuk ka asnjë arsye qoftë teorike, qoftë praktike që tregjet të mos reflektojnë”, u shpreh Xhepa.

“Kjo masë e BSH do të japë rezultate të paktën në aspektin psikologjik. Për të konfirmuar angazhimin, por mbetet për t’u parë se sa do të jetë sasia që Banka e Shqipërisë do të tërheqë nga tregu. E nga ana tjetër, si do të reagojë tregu monetar shqiptar me uljen e normës bazë të interesit”, shprehet Civici.

Banka e Shqipërisë ble në mënyrë periodike valutë nga tregu, sipas një skenari dhe sasie të paracaktuar për rritjen e rezervës valutore të vendit.

Por kjo është hera e para kur banka ndërhyn për të blerë mbi nivelet e parashikuara, me qëllim që të mos lejojë rënien e mëtejshme të euros.

Edhe pse banka nuk e ka bërë publike shifrën e eurove që do të blejë, në deklaratën zyrtare ajo la të kuptohet se nuk do të lejojë një rënie të mëtejshme të euros nën nivelet aktuale, pra poshtë nivelit 125 lekë, derisa kursi i këmbimit të rikthehet në normalitet.

Top Channel