Ministrja Nikolla promovon Shëngjinin, garanton aktivitete të shumta sportive e kulturore

27/05/2018 14:01

Teksa temperaturat e larta kane nisur dhe sezoni turistik ka hapur dyert për të mirëpritur turistët, Shëngjini këtë vit do të vijë me risi për të apasionuarit pas sporteve. Këtë fundjavë të rinjtë e Qarkut të Lezhës rigjallëruan jetën sportive në Shëngjin, duke zhvilluar lojëra ujore, si gara me varka druri me lopata dhe vela, gara me kanoe, not dhe waterpool.

Por nuk munguan as sportet pranë bregut të detit, si volejboll dhe Yoga. Në këto aktivitete ishte e pranishme edhe Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Lindita Nikolla, e cila siguroi pushuesit e kësaj zone se këtë vit do të ketë aktivitete të shumta sportive dhe kulturore për të gjitha grupmoshat, ndaj zgjedhja e tyre e parë duhet të jetë Shëngjini, që pushimet e tyre të jenë sa më të bukura.

“Pak sport, waterpool, kanoe, varkat me vela, diku Yoga diku BeachVoley dhe mbi të gjitha vrojtuesit e plazhit janë në kontroll të të gjithë pushuesve. Kjo të jetë një ogur i mirë për sezonin e plazhit, urojmë të gjitha zonat e plazhit të zhvillojnë aktivitete sportive pasi pushimet janë më kreative dhe më të relaksuara për çdokënd. U bëra 8 vite pa ardhur në Shëngjin dhe u impresionova nga mirëmenaxhimi i vijës bregdetare. Uroj të gjithë pushuesit të frekuentojnë Shëngjinin dhe besoj është një nga plazhet më të mira i të gjithë sezonit.”- deklaroi trajner i klubit sportiv të Notit, ‘Tirana’.

“Mua më keni në krah, do të pushoj këtu në Shëngjin këtë verë, por edhe vera të tjera. Gjithsesi më tepër se si pushuese, kam detyrën të jem një krah i fortë për të gjithë ju, për të mundësuar për pushuesit një vit shumë cilësor turistik, jo vetëm duke shijuar bukuritë e detit dhe natyrës së Shëngjinit por besoj me aktivitete të pasura kulturore dhe sportive. Ne do të mundësojmë që Shëngjini të ketë vrojtuesit e vetë këtë vit duke realizuar jo vetëm detyrimin ligjor por detyrimin që kemi para gjithë pushuesve që zgjedhin Shëngjinin këtë vit” deklaroi Nikolla

Aktivitetet rinore në Shëngjin do të jenë një risi për të mirëpritur të gjithë turistët, të cilët në këtë sezon turistik pritet të jenë të shumtë. Ndaj institucionet përgjegjëse dhe njësitë akomoduese kanë marrë të gjitha masat për flukset gjithnjë e në rritje që po i drejtohen këtij bregdeti ranor dhe të pastër.

Top Channel