Klosi: Kush hedh mbetje inerte në vende të palicencuara, i hiqet leja e ndërtimit

21/05/2018 13:06

Kush hedh mbetje inerte në vende të palicencuara do ti hiqet leja e ndërtimit. Kështu është shprehur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Bashkë me nënkryetarin e bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ata inspektuan situatën e mbetjeve inerte në liqenin e Kodër- Mëzez, që është kthyer në një vendgrumbullim mbetjesh dhe intertesh nga subjekte të palicensuara duke dëmtuar florën dhe faunën e kësaj zone.

“Situata që ka kjo sipërmarrje ka sot me mjedisin është krejtësisht e papranueshme pasi drejtuesit e këtij biznesi do të duhet të trajtojnë mbetjet në vend depozitimet e licensuara nga bashkia dhe jo natyra të jetë venddepozitimi për mbetjet. Inspektoriati i Mjedisit së bashku me inspektoriatin e bashkisë kanë penalizuar mbi 30 subjekte të cilët janë kapur në shkelje të ligjit, por kjo është një masë e pamjaftueshme. Do të vazhdojmë me masa më të ashpra duke shkuar deri në heqjen e lejes për ndërtim të këtyre subjekteve pasi nuk mund të tolerojmë që mjedisi të trajtohet si mall pa zot”, tha ministri Klosi.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se problematika e hedhjes së dherave nga punimet, ose inerteve të tjera në vende të ndryshme të qytetit, është një problematikë e vjetër. Ai siguroi se falë Planit Urbanistik të qytetit, të miratuar 1 vit më parë, kjo çështje është e sistemuar dhe tashmë duhet vetëm që aktorët të cilët ushtrojnë këtë lloj aktiviteti, të ndjekin rregullat dhe procedurat e duhura për të mos hedhur inertet si mall pa zot në natyrë.
Duke e vlerësuar të papranueshëm trajtimin e natyrës si një mall pa zot, kreu i Turizmit dhe Mjedisit, theksoi se forca e ligjit do të jetë e ashpër për këdo subjekt të madh apo të vogël, të njohur apo të panjohur, që nuk respekton ligjin për gjenerimin, transportin dhe depozitimin e mbetjeve inerte. Ministri Klosi kërkoi gjithashtu bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar cdo rast flagrant të shkeljes së ligjit.

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe inspektorët e bashkisë vijon inspektimet në të gjithë qarkun e Tiranës, për të evidentuar të gjitha pikat apo hotspotet e krijuara në vite nga puna dhe aktiviteti i pakontrolluar i subjekteve që merren me gjenerimin, transportin dhe venddepozitimin e mbetjeve inerte.

Top Channel