U arrestua për trafik droge nga Mali i Zi, i sekuestrohen pasuritë në Shkodër

18/05/2018 14:01

Shtatë pasuri të paluajtshme që i përkasin vetëm një personi janë sekuestruar në Shkodër, pas vendimit të gjykatës.

Bëhet fjalë për pronat e Ndue Pepaj dhe familjarëve të tij, nga fshati Bajzë e Malësisë së Madhe dhe konkretisht, tokë me sipërfaqe rreth 15500 m2 dhe ndërtesa social-ekonomike me sipërfaqe rreth 450 m2,ku përfshihen Bar-Restorant, Hotel“Kavaliero”, Lavazh dhe Dyqan Cigaresh, në fshatin Bajzë, njësia Administrative Kastrat, bashkia Malësi e Madhe.

Sekuestrimi u krye në funksion të hetimeve të procedimit penal të vitit 2018, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Bazë për fillimin e këtij hetimi ka shërbyer njoftimi i autoriteteve të Malit të Zi, më 17 dhjetor 2017.

“Atë ditë, 17 dhjetor 2017, rreth orës 16.00, autoritetet malazeze në kuadrin e operacionit “Mashtrim” (“Trick”), arrestuan12 persona, përfshi shtetasin shqiptar Ndue Vasel Pepaj, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si kreun e njëorganizate kriminale që vepronte në Mal të Zi dhe që merrej me trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Gjatë këtij operacioni janë gjetur dhe konfiskuar 982 kg marijuanë, 1,7 kilogram heroinë dhe rreth 3 kg përzierës. Sipas policisë malazeze, kjo organizatë kriminale dyshohet se kishte vepruar për një periudhë të gjatë kohore dhe veçanërisht aktive ka qenë që nga 01 janari2016 në trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në nivel ndërkombëtar. Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale të Malit të Zi, përfaqësues të së cilës u takuan me autoritetet ditën e fundit në Prokurorinë e Shkodrës në funksion të hetimit të kësaj çështje dhe të ekzekutimit të Letër-Porosive së kërkuara në mënyrë reciproke nga autoritet gjyqësore të të dy shteteve”, njofton Prokuroria e Përgjithshme.

Hetimi dhe sekuestrimi i aseteve është bërë pasi dyshohet se këto pasuri janë produkt i veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, të kryer nga Pepaj. Më pas ai këto pasuri i ka ricikluar duke i tjetërsuar në emër të personave të tjerë, sidomos në emër të motrës, dhëndrrit dhe dajës së tij.

Zbatimi i vendimit të gjykatës për ekzekutimin e sekuestrimit u bë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër dhe Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila mori në administrim pasuritë e sekuestruara.
Hetimet për këtë çështje vazhdojnë, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA