Shefat e diplomacisë maqedonase dhe greke takohen sërish sot me ndërmjetësuesin e OKB-së për “Emrin”, Matthew Nimetz.

Takimi, i cili synon arritjen e një marrëveshjeje për çështjen delikate që frenon aspiratat euroatlantike të Shkupit, mbahet në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë.

Edhe pse ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias paralajmëroi gjatë bisedimeve në Ohër se takimi i ardhshëm do të zhvillohej me siguri në Selanik, shtypi maqedonas citon burime greke të pohojnë se përballja do të zhvillohet në Vjenë, si nismë e re e Nimetz, por nuk përjashtohet mundësia që pas takimit të sotëm të ketë edhe në tjetër në Selanik, ashtu siç ka qenë e parashikuar.

Pas publikimit të raportit të Komisionit Europian mbi përparimin e Maqedonisë, Kotzias deklaroi se vendi nuk do të hyjë në NATO në muajin qershor, pasi koha për arritjen e marrëveshjes është tepër e shkurtër.

Kryeministri Zoran Zaev shprehet optimist për takimin e Vjenës, nga i cili thotë se pret një hap përpara. Intensifikimi i bisedimeve për çështjen e emrit konsiderohet tregues se problemi ka hyrë në fazën serioze.

Disa ekspertë vlerësojnë se ky është një moment kritik, e kjo është edhe arsyeja përse rrethohet me kaq heshtje e fshehtësi. Nimetz ka deklaruar më herët se situata në rajon ka ndryshuar dhe palët që marrin pjesë në negociata po ashtu, duke këmbëngulur se ka ardhur koha për gjetjen e një zgjidhjeje.

Top Channel