Një person është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e sotme në zonën e “Kinostudios” në kryeqytet.
Policia bën të ditur se vrasja ka ndodhur rreth orës 20:25 në një rrugicë pa ndriçim që lidhet me rrugën “Aleksandër Moisiu”.
Mësohet se personi që ka humbur jetën është shtetasi Marjo Majollari, 28 vjeç, i cili sipas policisë dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri pistoletë.
Grupi hetimor ka mbërritur brenda pak minutash në vendngjarje dhe po sekuestron e grumbullon çdo provë për të identifikuar autorët e krimit.
Forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli në zonë, si dhe në të gjitha rrugët lidhëse me vendin e ngjarjes. Për hetimin e ngjarjes, policia njofton se është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Policia ka shoqëruar e po vijon shoqërimin e disa shtetasve që mund të ndihmojnë me dëshmitë e tyre për zbardhjen e rrethanave të vrasjes.
Top Channel