Policia britanike ka lëshuar një deklaratë në emër të vajzës së ish-spiunit rus, Sergei Skripal, e para kjo që prej ngjarjes së 4 marsit kur ajo dhe i ati i saj u helmuan përmes një agjenti nervor në Salisbury.
“Fatmirësisht u përmenda rreth një javë më parë dhe tani jam e lumtur të them se po përmirësohem nga dita në ditë”, thuhet në deklaratë.
Lajmi vjen vetëm pak orë pasi një televizion rus transmetoi një regjistrim të një bisede të pretenduar telefonike, që thuhet të jetë zhvilluar mes Yulia Skripalit dhe kushërirës së saj.
33-vjeçarja Yulia dhe babai i saj 66-vjeçar Sergei ndodhen ende në një spital në Salisbury, që prej sulmit. I ati, ish-spiun i dyfishtë rus, mbetet ndërkohë në gjendje kritike për jetën, por gjendja e tij paraqitet e qëndrueshme.
Yulia thotë se ndihet mirënjohëse për qindra mesazhet dashamirëse që ka marrë deri tani.
“Shumë njerëz luten për rikuperimin tim dhe do të doja të përmendja veçanërisht njerëzit e qytetit të Salisburyt, që na erdhën në ndihmë mua dhe babait tim kur ne ishim të paaftë të reagonim”, vijon më tej deklarata. “Mbi të gjitha do të doja të falënderoja stafin e spitalit për kujdesin dhe profesionalizmin e treguar. Jam e bindur se ju të gjithë e konsideroni këtë episod si çorientues, por shpresoj që të gjithë të respektojnë privatësinë time dhe të familjes sime, gjatë kësaj periudhe rikuperimi”.
Qeveria britanike ka akuzuar Rusinë si përgjegjëse për sulmin, por ambasadori rus në Britani është shprehur se Moska nuk zotëron rezerva të ndonjë agjenti nervor, të çfarëdolloji. Incidenti shkaktoi një krizë diplomatike ndërkombëtare.
Më herët gjatë kësaj të enjteje, “Russian TV” publikoi një telefonatë të regjistruar që pretendohet të jetë kryer mes Yulia Skripalit dhe kushërirës së saj, Viktoria.
Yulia, siç pretendohet, ka thënë se “gjithçka po shkon mirë. Babai i saj thjesht po pushon, duke fjetur. Shëndeti i tyre është mëse normal dhe nuk kanë pësuar asnjë dëm të pakthyeshëm. Shumë shpejt ajo do të dalë nga spitali”.
Ndërkohë, Viktoria Skripal i ka thënë asaj se shpresonte që të udhëtonte drejt Britanisë për të vizituar të afërmit e saj, nëse do të mund të pajiset me vizë, por Yulia pretendohet t’i ketë rrëfyer se askush nuk mund t’i japë asaj vizë në këtë moment.
Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” citon gjithashtu kushërirën të thotë se ka folur me të afërmit dhe se Yulia i kishte thënë se gjithçka shkonte mirë. Ajo ishte habitur nga fakti se telefonata i kishte ardhur vetëm një ditë pasi ajo i kishte thënë medies se nuk i ishte lejuar të fliste me Yulian, siç raporton “Interfax”.
Top Channel