Fermat po mbysin ambientin. Ambientalistët: BE mohon krizën

23/03/2018 18:35

Shfarosja e zogjve dhe insekteve, një krizë për Europën, do të përkeqësohet edhe më tej gjatë dekadës së ardhshme, pasi Bashkimi Europian mohon plotësisht praktikat shkatërrimtare bujqësore.

Paralajmërimi jepet nga grupet e ambientalistëve, që thonë se ministrat europianë të Bujqësisë po krijojnë një politikë të re të përbashkët bujqësore për vitet 2021-2028, e cila ruan subvencionet bujare për fermerët e mëdhenj, ndërsa ka masa jo të efektshme, madje të rreme, për të mbrojtur ambientin.

Në një javë kur dy studime treguan shfarosjen e zogjve në Francë për shkak të fermave, një trend që shihet kudo në Europë, Presidenca e BE-së, në mbrojtje të fermerëve tha se politikat bujqësore vazhdojnë të sigurojnë ushqim të sigurtë duke mbrojtur ambientin.

Sipas ambientalistëve, Bashkimi Europian nuk e pranon kategorikisht problemin, mohon të vërtetën dhe kjo po shkakton një katastrofë në ambient. Sipas tyre, shifrat miliardëshe janë shtytësi kryesor, pasi subvencionet për fermat gllabërojnë 38% të buxhetit të BE-së dhe 80% e tyre shkojnë për vetëm 20% të fermerëve.

Ekuacioni është i thjeshtë: Sa më shumë tokë të kesh, aq më shumë subvencione merr! Kjo ka bërë më të fortë të fortët dhe ka falimentuar të vegjlit. Për shembull, gjatë dekadës së parë të shekullit aktual, Franca humbi 25% të punëtorëve në ferma, por përmasat e fermave vazhdojnë të rriten.

Mjaft ekspertë të pavarur dhe auditorë të BE-së iu bashkohen ambientalistëve në akuzën se, fondet e mëdha për bujqësinë po shkatërrojnë ambientin, pasi fermerët investojnë në teknologji dhe pesticide, por nuk shpenzojnë asgjë për ambientin.

Ambientalistët thonë se skandali është masiv, por lobi i bujqësisë dhe blegtorisë është shumë i fuqishëm, saqë publiku nuk është ndërgjegjësuar ende për këtë. Nëse këtij alarmi i shtojmë shifrat e OKB-së, që tregojnë se blegtoria dhe bujqësia prodhojnë gazra serë më shumë se i gjithë sistemi i transportit global, duket së vëmendja nuk duhet përqëndruar vetëm te makinat tona, por edhe te fushat që prodhojnë ushqimin tonë.

Top Channel