Dy kulla në Parkun e Liqenit? Çfarë fshihet pas blerjes së ish-“Sheraton”, hotelit me humbje

16/03/2018 19:38

Blerja e bujshme e “Mak Albanias”, kompanisë pronare të ish-“Sheratonit” për 30 milionë euro nga kompania shqiptare, “Kastrati”, ka ngritur shumë pikëpyetje se përse u paguan kaq shumë para për një biznes që nga viti në vit ka dalë me humbje.

Sipas bilanceve në 2010-ën, “Mak Albania” kishte një kapital themeltar prej rreth 87 milionë euro, ndërkohë aktiviteti i përkeqësuar financiar i viteve të fundit e zhvlerësoi kompaninë në 22 milionë euro.

Ky biznes ka shitur gradualisht në vite pronat e tij me vlerë shumë më të ulët se ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet. Rasti tipik është hotel “Butrinti” në Sarandë që u shit për 820 mijë euro, nga rreth 7 milionë që u ble. Të njëjtin fat pati dhe resorti “Mak Albania” në Golem.

Për vitin 2016, humbjet arritën në gati 8 milionë euro, ndërsa heqja e emrit “Sheraton” pak muaj më parë ia uli edhe më shumë imazhin.

Më 5 shkurt të këtij viti, “Kastrati SHA” arriti të marrë pronësinë e hotelit që deri në fund të 2017 ishte pjesë e rrjetit “Sheraton”.

Sipas kontratës së shitjes, që disponon “Top Channel”, pagesa e kryer ndaj ortakëve arabë të “Mak Albania”, ishte 30 milionë euro. 18 milionë si vlerë kapitali dhe 12 milionë euro si shlyerje borxhesh bankare të akumuluara.

Shuma e lartë e paguar duket se ka lidhje me pozitën gjeografike të ish-“Sheratonit” dhe perspektivën e zgjerimit. Zona e lakmuar për ndërtim ndodhet pas hotelit, ngjitur me parkun e liqenit, ku gjenden dhe disa ndërtime një katëshe pjesë e “Sheratonit” që shërbenin për qëndrimin e administratës dhe familjarëve të punëtorëve të huaj të “Mak Albania”. Nuk është ende zyrtare, por në planet e blerësit të ri është ndërtimi i dy kullave të reja, pikërisht në këtë zonë të gjelbëruar, ku gjenden ndërtimet një katëshe dhe parkingu i hotelit. Ashtu si për kullat e tjera në qendër të Tiranës, leja duhet të kalojë patjetër në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Projekti mund të jetë edhe me shumë leverdi nëse ndërtimi i ri merr statusin e investitorit special në turizëm që jepet nga qeveria, duke u përjashtuar kështu dhe tatimet.

Në varësi të sipërfaqes, vetëm përjashtimi nga taksa e infrastrukturës për ndërtime kullash në kryeqytet kap shifra që llogariten në miliona euro.

Vetëm në këtë mënyrë, me ndërtime kullash të reja dhe përjashtim nga taksat, blerja 30 milionë euro e një biznesi që çdo vit del me humbje të mëdha mund të rezultojë fitimprurëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA