Për ngjarjen e rëndë të shënuar në Shkodër pasditen e kësaj të enjteje, pak pas përfundimit të stërvitjes së ekipit të Vllaznisë në fushën sportive “Reshit Rusi”, ku është tentuar të sulmohet me thikë tekniku Ernest Gjoka, ka reaguar edhe Bashkia e Shkodrës, nga e cila menaxhohet klubi.
“Jemi njohur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Fushën e Lëkurave, ku pas stërvitjes është goditur dhe kërcënuar me jetë trajneri i ekipit të parë Ernest Gjoka”, thuhet në reagim.
Menjëherë pas ngjarjes, trajneri Gjoka, drejtuesit e Bashkisë dhe të klubit të Vllaznisë kanë komunikuar me Policinë e Shtetit, duke i vënë në dijeni për ngjarjen, si dhe duke kërkuar zbardhjen e plotë të saj dhe arrestimin e agresorit.
“Ky akt i turpshëm, i cili nuk ka lidhje me qytetarinë e spikatur shkodrane, dënohet me vendosmërinë më të madhe nga ana e Bashkisë, Klubit, stafit drejtues-teknik dhe futbollistëve. Nuk përjashtojmë mundësinë e një prapavije të qëllimte, ndoshta edhe të sponsorizuar, por që mbetet në duart e organeve kompetente që ta zbardhin plotësisht”, deklaron më tej Bashkia e Shkodrës.
Aktin e goditjes dhe të kërcënimit me jetë me armë të ftohtë të trajnerit Gjoka, futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit e Vllaznisë, Bashkia e Shkodrës dhe tifozët e shumtë e konsiderojnë si goditje të qëllimshme, të mirëmenduar të dikujt apo disave, që duan të dëmtojnë Vllazninë në momentin e saj ndoshta më të mirë.
“Në këto kushte, klubi dhe Bashkia e Shkodrës do t’i kërkojnë FSHF-së shtyrjen e takimit me Luftëtarin, në Gjirokastër, në një datë tjetër”, përfundon reagimi duke iu referuar ndeshjes Luftëtari-Gjirokastër të parashikuar për t’u luajtur të shtunën në orën 14:00.
Top Channel