Turqia ka reaguar menjëherë pas lajmit se qeveria siriane mund të ndihmojë kurdët kundër forcave turke në veri të Sirisë.
Zv.kryeministri turk, Bekir Bozdag është shprehur se operacionet ushtarake të Turqisë do të vazhdojnë siç janë planifikuar, por paralajmëroi se do të ishte një katastrofë nëse trupat siriane do të ndërhynin në këtë mes.
Media siriane kishte njoftuar më herët se ushtria mund të ndihmonte kurdët t’u rezistonin operacioneve turke në enklavën e Afrinit, edhe pse deri më tani nuk ka asnjë shenjë që të vërtetojë diçka të tillë, ndërsa milicia kurde “YPG” ka mohuar ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje me Damaskun.
Turqia i konsideron luftëtarët kurdë, përtej kufirit të saj në Afrin, si terroristë. Për këtë arsye nisi edhe ofensivën madhore kundër tyre gjatë muajit të kaluar.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka thënë ndërkohë homologut të tij rus, Vladimir Putin, se Damasku do të përballej “me pasojat” nëse arrin një marrëveshje me kurdët, në zhvillimin më të fundit të raportuar nga filiali turk i “CNN”-it.
Ashtu si zv.kryeministri Bozdag, edhe ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu ka dhënë një mesazh të ngjashëm e të qartë pasditen e kësaj të hëne. “Nëse ushtria siriane vihet në mbrojtje të njësive ‘YPG’, atëherë asgjë dhe askush nuk do të mund të ndalonte ushtarët turq”, citohet t’u ketë thënë ai reporterëve në Jordani.
Top Channel