Forcat proqeveritare siriane, aleancë me kurdët kundër Turqisë?

19/02/2018 18:39

Shprehja “të gjithë kundër të gjithëve” duket se gjen ende zbatim në konfliktin e përgjakshëm sirian, edhe disa kohë pas mposhtjes së militantëve të Shtetit Islamik.

Forcat proqeveritare siriane duket se janë të gatshëm të “sakrifikojnë” e të luftojnë në krah të luftëtarëve kurdë, vetëm e vetëm që të zmbrapsin ofensivën turke në Sirinë veriperëndimore, sipas raportimeve të agjencisë shtetërore të lajmeve.

Këto raportime vijnë pak pasi zyrtarë kurdo-sirianë deklaruan se qeveria e Damaskut kishte rënë dakord të dërgonte trupa në ndihmë të tyre, përballë forcave turke. Turqia i konsideron luftëtarët kurdë, të pranishëm përgjatë kufirit e veçanërisht në Afrin, si terroristë. Për këtë arsye, Ankaraja nisi një ofensivë madhore kundër tyre gjatë muajit të kaluar.

Të hënën u raportua gjithashtu se forcat proqeveritare siriane po bënin përgatitje për një sulm nga toka në zonën e kontrolluar prej rebelëve, Ghoutën Lindore, në periferitë e Damaskut.

Aktivistët sirianë thanë se dhjetëra civilë janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit prej sulmeve qeveritare, në një nga ditët më vdekjeprurëse në Ghoutën Lindore që kur forcat siriane përshkallëzuan fushatën e tyre për rimarrjen e saj në fillim të këtij muaji.

Por çfarë mendohet të jetë arritur në akordin e sipërpërmendur? Agjencia shtetërore e lajmeve “SANA” thekson se forcat popullore do të mbërrijnë brenda pak orësh në Afrin, në mbështetje të qëndresës së popullit të kësaj zone kundër sulmeve të regjimit turk.

Një zyrtar i lartë kurd, Badran Jia Kurd tha për agjencinë “Reuters” se ushtarët e qeverisë do të dërgoheshin në disa pozicione kufitare. E megjithatë, kjo ende nuk është konfirmuar nga autoritetet siriane.

Nëse është arritur vërtet një marrëveshje, trupat turke do të gjendeshin kështu jo vetëm përballë luftëtarëve kurdë në Afrin, por edhe përballë ushtrisë siriane.

Turqia nisi ofensivën e saj, duke kaluar kufirin, të quajtur “Pema e Ullirit” në janar, me synimin për të goditur Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG), krahu i armatosur i Partisë së Unionit Demokratik Kurd (PYD). Kurdët kanë administruar enklavën gjysmëautonome në jug të kufirit me Turqinë, që kur forcat siriane u tërhoqën prej andej në vitin 2012, ndërsa “YPG”-të kanë marrë kontrollin edhe të një pjese tjetër të territorit që dikur kontrollohej nga luftëtarët e Shtetit Islamik.

“YPG”-të, për Turqinë konsiderohen si zgjatim i Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që lufton për autonominë e kurdëve prej 3 dekadash me Turqinë.

Top Channel