Universiteti në krizë, dekanët i kërkojnë dorëheqjen. Mynyr Koni: Po sabotojnë

15/02/2018 19:45

“Të krijonte atë përshtypjen e një mbledhje organizate partie të kohës së komunizmit, apo mbledhje fronti, ku shkonte Enver Hoxha dhe përcaktonte kush ishin armiqtë, i diskreditonte aty, i shantazhonte dhe pastaj ikte”.

Kështu e lexon profesori i Universitetit të Tiranës, Mark Marku, takimin e djeshëm të kryeministrit Rama me senatin e këtij institucioni. Ndërsa, rektori i universitetit të Tiranës, Mynyr Koni duket se ka vendosur të flasë duke ngritur dyshime të forta se bllokimi i UT ka ndodhur qëllimisht.

“Kam bërë denoncime , dosjet flenë në Prokurori, ky bllokim nuk është rastësor, janë përfshirë individë të caktuar, ish-drejtuesi i bordit, ish kancelari”, shprehet rektori Mynyr Koni.

Për herë të parë, drejtuesi më i lartë i këtij institucioni pranon publikisht se është trysnuar në detyrën e tij. Koni thotë gjithashtu se pas konfliktit që UT ka me vetveten fshihet një e vërtetë e madhe, ku janë të përfshira edhe strukturat e larta qeverisëse

“Jam ndjerë në presion institucional nga struktura të ndryshme, nga inspektimet e m,ar\sr në 2017, ka arritur deri aty sa edhe ministria e financave ka marrë përsipër të interpretojë ligjin e ri, duke pranuar veprime financiare pa vulën e universitetit dhe të firmosur nga persona të larguar nga puna, është lajmëruar thesari dhe ministria dhe situata vazhdon”, thotë Koni.

Rektori Koni thotë se është në pritje që bordi administrativ të zgjidhë kaosin që ka shkaktuar në universitetin e Tiranës, përndryshe do të mbledhë senatin për të shkarkuar anëtarët e bordit administrativ. Por, 4 dekanë të universitetit të Tiranës me në krye Dhori Kulen kundërpërgjigjen:

“I jemi drejtuar ministrisë së arsimit për shkarkimin e tij”, shprehet Dhori Kule.

Njësoj si rektori Koni, edhe forumi i pedagogëve është i vendosur në qëndrimin e tij, nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre

“nëse kryeministri do të vazhdojë me gjuhën e tij konfliktuale do hyjmë në grevë”, shprehet profesori i Universitetit të Tiranës, Mark Marku.

Top Channel