Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar menjëherë pas votimit në Kuvend të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Pas përfundimit edhe të protestës, ambasada shpërndau reagimin në të cilin thuhet: “Ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.

Më tej, në reagim nënvizohet se populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vettingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para. Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë”, mbyllet deklarata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Top Channel