Indi, një vit ministër i Lumturisë por kërkohet për vrasje

14/12/2017 17:26

Mund të tingëllojë disi ironike, por ministri i Lumturisë në shtetin indian Madhya Pradesh kërkohet për vrasje.

Policia indiane është vënë në kërkim të 53-vjeçarit, Lal Singh Arya, i cili është zhdukur që prej së martës, kur një gjykatë kërkoi arrestimin e tij.

Ministri është i dyshuar për vrasjen e një politikani të opozitës në vitin 2009 dhe, megjithëse ka pretenduar gjithnjë pafajësinë e tij, i përballur me mandatarrestin nuk është menduar gjatë për t’ia mbathur.

Madhya Pradesh është shteti i parë dhe i vetëm në Indi, që ka një dikaster lumturie për të rritur mirëqenien e qytetarëve të tij.

Ministri Arya i përket partisë qeverisëse “BJP” të kryeministrit Narendra Modi, e drejton Ministrinë e Lumturisë që prej krijimit të saj në korrik të vitit 2016.

Ky diskater ka për detyrë që të sigurojë lumturinë dhe tolerancën e qytetarëve, duke krijuar një ekosistem që u bën të mundur njerëzve të arrijnë potencialin e tyre të mirëqenies së brendshme.

Duke konsideruar zhvillimet e fundit, që kanë të bëjnë me kreun e kësaj ministrie, gjasat janë që në krye të saj të jetë vënë njeriu i gabuar.

Top Channel