Partia e Mugabes pritet të nisë procedurat për hetim

21/11/2017 08:45

Partia e presidentit Robert Mugabe do të nisë procedurat për vënien e tij para hetimit. Një zyrtar i partisë “Zanu PF” tha se, një mocion për t’i hequr atij presidencën do të paraqitej në Parlament të martën, e procesi do të merrte vetëm dy ditë.

Mbi 93-vjeçarin do të ngrihen disa akuza, mes të cilave edhe ajo e lejimit të bashkëshortes së tij, Grace, të uzurpojë fuqi kushtetuese.

Udhëheqësit ushtarakë, që ndërhynë javën e kaluar, thanë se Mugabe do të takonte ish-zëvendëspresidentin e tij në azil, së shpejti.

Emmerson Mnangagva u largua nga Zimbabve pasi Mugabe e shkarkoi atë, në një lëvizje që shumëkush e pa si hapje të rrugës për gruan e tij si pasuese.

Lëvizja bëri që zyrtarët më të lartë të ushtrisë të ngriheshin dhe ta vendosnin Mugaben nën arrest shtëpie, edhe pse ai nominalisht mbetet president.

Ushtria tha se kishte plane për Mugaben në të ardhmen. Të dielën, ndërkohë, pavarësisht presionit të madh, Mugabe habiti shumëkënd duke refuzuar të japë dorëheqjen dhe në një fjalim në televizion, ai tha se do të vazhdojë të drejtojë deri në Kongresin e muajit të ardhshëm të partisë.

Sidoqoftë, hetimi pritet të fillojë pas skadencës së një ultimatumi të vendosur nga partia për Mugaben. Në Zimbabve, kjo mund të ndodhë vetëm në disa skenare specifike, bazuar mbi sjelljen jo të përshtatshme, shkeljen e Kushtetutës, mosbindjes apo mosmbrojtjes së saj, apo edhe mungesës së kapacitetit.

Top Channel