Ndotja radioaktive, Rusia mohon çdo incident

21/11/2017 17:00

Rusia tha se asnjë incident bërthamor nuk ka ndodhur në territorin e saj, pavarësisht gjurmëve shumë të larta të një izotopi raidokativ.

Shërbimi Meteorologjik i Rusisë tha se kishte matur ndotje nga “ruthenium 106”, 1.000 herë më të lartë sesa normalja në malet Urale.

Megjithëse në lajmërim thuhet se nuk ka rrezik për shëndetin, ai konfirmon raportet e Institutit francez të Sigurisë Bërthamore, që diktoi një re ndotjeje radioaktive mbi Europë.

Sipas Institutit “IRSN”, reja përmbante “ruthenium 106” dhe mund të ishte shkaktuar nga një incident në një impiant bërthamor në Rusi, apo Kazakistan. Por të dyja këto vende thonë se asgjë nuk ka ndodhur në impiantet e tyre.

Megjithatë, lajmërimi i Shërbimit Meteorologjik rus përbën të dhënat e para nga ky vend që mbështesin raportin francez. Sipas këtij shërbimi, aparaturat në Urale diktuan ndotje shumë të lartë dhe një prej këtyre aparaturave ishte pranë impiantit bërthamor “Mayak”.

Ky impiamt menaxhohet nga kompania shtetërore “Rosatom” dhe ripërpunon karburantin bërthamor. “Ruthenium 106” është produkt i ndarjes së atomeve në reaktor dhe nuk ndodh natyrshëm, prandaj ndotjen me të, dikush duhet ta ketë shkaktuar, por edhe zyrtarë të impiantit “Mayak” mohuan të kenë pasur ndonjë incident.

Impianti i “Mayak” ishte skena e një aksidenti kolosal bërthamor në vitet 1957, kur shpërtheu një magazinë mbetejesh radioaktive.

Top Channel