Macron fton kryeministrin e Libanit në Francë

15/11/2017 22:24

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka ftuar kryeministrin e Libanit, Saad Hariri dhe familjen e tij në Francë, në përpjekje për të shuar një krizë në thellim në Lindjen e Mesme.

Hariri lajmëroi papritur dorëheqjen e tij si kryeministër 11 ditë më parë, nga kryeqyteti saudit, duke e vendosur Libanin në mes të një përplasjeje rajonale për pushtet mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Macron tha ndërkohë se, ftesa e tij nuk ishte një ofertë për azil politik, por një akt miqësie.

“Kam folur me princin e kurorës Mohammed bin Salman dhe kryeministrin Saad Hariri dhe kemi rënë dakord që ta ftoj për disa ditë në Francë, bashkë me familjen e tij. Është një akt miqësie dhe një vullnet i fortë për të kontribuar në rikthimin e qetësisë dhe stabilitetit në Liban”, tha Emmanuel Macron, president i Francës.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, që ka refuzuar të pranojë dorëheqjen e kryeministrit, akuzoi sërish Arabinë Saudite të mërkurën se po mban peng Haririn dhe e quajti këtë një akt agresioni. Aoun ka thënë se nuk do të pranojë dorëheqjen e Haririt, derisa ai të rikthehet në Liban dhe ta paraqesë zyrtarisht atë, bashkë me një shpjegim për arsyet e tij.

Arabia Saudite ndërkohë ka hedhur poshtë akuzat se po mban peng Haririn apo se e ka shtrënguar atë të japë dorëheqjen.

Top Channel