Fondacioni Clinton mund të hetohet nga prokurorët

14/11/2017 20:08

Departamenti amerikan i Drejtësisë u ka kërkuar prokurorëve të hetojnë Fondacionin “Clinton”, e gjithashtu një marrëveshje për uraniumin, që sipas republikanëve implikon ish-Sekretaren e Shtetit.

Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions tha se një hetim i nivelit të lartë mund të zhvillohet lidhur me çështje të caktuara të fondacionit të Hillary dhe Bill Clinton, e gjithashtu shitjes së kompanisë kanadeze të minierave “Uranium One”.

Sessions e njoftoi lëvizjen në përgjigjen e tij ndaj një letre të republikanëve në Kongres. Ai parashtroi mundësinë e krijimit të një këshilli të posaçëm. Hetimet lidhur me çështjet kërkohen prej kohësh nga presidenti amerikan Donald Trump.

Por, për demokratët, “Uranium One” nuk është gjë tjetër përveç se një përpjekje për të devijuar nga hetimet që po njollosin presidencën “Trump”, lidhur me ndërhyrjen e pretenduar të Kremlinit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Kompania minerare kanadeze, që zotëronte një të pestat e furnizimeve të Shteteve të Bashkuara me naftë, u ble në vitin 2010 nga firma shtetërore ruse “Rosatom”. Departamenti amerikan i Shtetit, nën drejtimin e Sekretares së atëhershme të Shtetit, Hillary Clinton, ndihmoi në aprovimin e ujdisë bashkë me presidentin Barack Obama.

Republikanët pretendojnë se Departamenti i Shtetit miratoi marrëveshjen pasi fondacioni bamirës i Bill Clintonit siguroi një donacion prej 145 milionë dollarësh. Disa prej këtyre kontributeve nuk u publikuan nga çifti Clinton, pavarësisht zotimit të tyre për të identifikuar të gjithë donatorët, raporton “New York Times”.

Gjithashtu, siç kanë zbuluar mediet, Clinton u pagua 500 mijë dollarë për një fjalim nga një bankë investimi ruse e lidhur me Kremlinin, që po promovonte aksionet në “Uranium One”.

Top Channel