“Mos na vini në provë!” Donald Trump iu drejtua Koresë së Veriut me një paralajmërim të qartë, duke i kërkuar të mos i nënvlerësojnë Shtetet e Bashkuara e duke dënuar atë që e quajti “një fantazi e errët” e jetës në vendin e izoluar komunist.
Komentet e tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin koreano-jugor.
“Kam shpresën se nuk flas vetëm për vendet tona, por për të gjitha kombet e civilizuara kur i them Veriut se do ta mbrojmë deri në fund sigurinë tonë të përbashkët, begatinë që ndajmë mes nesh dhe lirinë tonë të shenjtë. Ne nuk do të lejojmë që Amerika apo aleatët tanë të shantazhohen ose sulmohen. Nuk do të lejojmë që qytetet amerikane të kërcënohen me shkatërrim. Ne nuk do të frikësohemi dhe nuk do të lejojmë që mizoritë më të mëdha të historisë të përsëriten këtu, në këtë tokë ku luftuam e derdhëm gjak”, tha Trump.
Presidenti amerikan iu drejtua më tej liderit koreano-verior, Kim Jong-un, duke i thënë se armët që po zhvillon nuk e bëjnë dot më të sigurtë dhe i nxiti shtetet e tjera të bashkojnë forcat për ndalimin e Penianit.
Fjalët e tij u ndoqën me vëmendje të madhe nga ligjvënësit koreano-jugorë, por ndonëse retorikën e kishte të ashpër, nuk iu kthye sërish gjuhës bombastike kundër Penianit: “Kohës për justifikime i ka ardhur fundi. Tani është koha për forcë. Nëse doni paqe, duhet të jeni të fuqishëm në çdo moment. Bota nuk e toleron dot kërcënimin e një regjimi mashtrues që kërcënon me rrënim nuklear”.
Ndalesa në Korenë e Jugut ishte pjesë e turneut 11-ditor të Trump në Azi, i cili, pas Seulit, e çoi në Pekin, ku kreu i administratës amerikane do të pritet me nderime të cilat nuk i janë rezervuar ndonjë Presidenti tjetër amerikan që prej themelimit të Republikës Popullore të Kinës.
Top Channel