Zgjerohet taksa progresive, nga 1 janari mbi pagat dhe të ardhurat e tjera

06/11/2017 15:13

Qeveria do të bëjë një ligj të ri, i cili e shtrin taksimin progresiv jo vetëm mbi pagat, siç është aktualisht, por mbi të gjitha llojet e të ardhurave.

“Do të përfshijë të ardhurat e integruara në bazë të taksueshme, jo si tani të fragmentuara. Çdo e ardhur do të përllogaritet si një e tërë në periudhë tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Aktualisht, qeveria takson progresivisht vetëm pagat, ndërsa të ardhurat e tjera, si qiraja apo e drejta e autorit taksohen me normë fikse, 15 për qind. Sipas skemës së re, të gjitha të ardhurat do të bashkohen në një bazë të vetme, mbi të cilën pastaj zbatohet taksa progresive 0, 13 ose 23 për qind, në vartësi të nivelit të të ardhurave.

Por cili është efekti i kësaj lëvizje? A do të paguajnë qytetarët më shumë, apo më pak? Kjo varet nga niveli i të ardhurave. Top Channel e ilustron me dy shembuj konkretë.

Rasti i parë është një individ, i cili aktualisht ka një pagë 130 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja 30 mijë lekë në muaj. Për këtë individ, taksa rritet. Ajo shkon nga 17 mijë e 500 lekë në muaj, që është aktualisht, në 19 mijë e 900 lekë në muaj. Pra, 2 mijë e 400 lekë më shumë në muaj.

Rasti i dytë është një individ tjetër, i cili e ka pagën 60 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja po 30 mijë lekë në muaj. Për këtë qytetar, taksa ulet. Ajo shkon nga 8 mijë e 800 lekë në muaj, që është aktualisht, në 7 mijë e 800 lekë, duke u ulur me 1 mijë lekë në muaj.

Siç tregohet nga të dy shembujt e mësipërm, mënyra sesi ndryshon barra e taksës varet nga niveli i të ardhurave. Por, përgjithësisht, për një individ që ka të ardhura nga paga dhe qiraja mbi 160 mijë lekë në muaj, barra rritet. Ndërsa për ata që i kanë të ardhurat nën këtë nivel, taksa ulet.

Top Channel