Ndriçim LED për Tiranën. Veliaj, në Firence edhe për flotën e biçikletave

06/11/2017 14:30

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në Firence të Italisë, me ftesë të homologut Dario Nardella. Dy kryebashkiakët biseduan mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe shtimin e marrëdhënieve mes ekipeve të dy bashkive.

Në qendër të bisedës ishin projektet konkrete që synojnë të sjellin një ndryshim të vërtetë në përdorimin e mjeteve dhe teknologjisë së fundit në disa fusha. Tirana dhe Firence do punojnë për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët.

“Ndaj po ndërtojmë disa plane për projekte konkrete, të cilat ne mund t’i implementojmë në Tiranë, të frymëzuar nga Firence. Së pari, ka të bëjë me të gjithë teknologjinë e ndriçimit LED në qytet, ose siç quhet ndryshe një qytet inteligjent smart-city. Po shikojmë se si Firence ka bërë një punë fantastike, jo vetëm me ndriçimin, por edhe me mënyrën si funksionon siguria publik. Ndaj besoj që jemi gati që ashtu siç kemi bërë me Bashkinë e Veronës, për të pasur një ndërmarrje të përbashkët që bën pastrimin, të kalojmë në një ndërmarrje të përbashkët me qytetin e Firences, që bën jo vetëm ndriçimin publik që kursen energji, por të gjithë infrastrukturën për atë që quhet një smart city, pra një qytet inteligjent”, deklaroi Veliaj.

Dy homologët diskutuan dhe për projektin për një flotë biçikletash “bike-share”, si një mënyrë për të ulur nivelin e ndotjes, që vjen si pasojë e numrit të lartë të automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet.

“Projekti ynë i dytë ka të bëjë me sjelljen në Tiranë të një flote të biçikletave, nuk mjafton të kemi korsitë dhe të inkurajojmë përdorimin e biçikletave, na duhet edhe një flotë që të përballojë fluksin. Brenda pak muajsh, Firence ka prodhuar një histori suksesi, me një flotë prej 3 mijë biçikletash në qytet dhe për këdo që ka lëvizur në qytet gjatë ditëve të fundit ka parë se si qyteti është pushtuar nga sistemi i ri biçikletave. Duam të kopjojmë të njëjtin model për ta sjellë në Tiranë”, tha më tej Veliaj.

Ndërkohë, kryebashkiaku Nardella i akordoi Veliajt Medaljen e Artë të Firences.

Top Channel