Ngacmimet seksuale, kompania e Weinstein nën hetim zyrtar

23/10/2017 21:39

Prokurorët në Nju Jork po hetojnë kompaninë e bashkëthemeluar nga producenti Harvey Weinstein, pas akuzave për dhunim seksual të ngritura ndaj tij.

Hetimi civil synon të identifikojë punonjëset e kompanisë që kanë qenë subjekt të ngacmimeve seksuale.

“Nëse ngacmimi apo diskriminimi kanë qenë të theksuar, atëherë ne duam ta mësojmë”, ka deklaruar zyra e prokurorit të përgjithshëm. Dokumente të shumta të kompanisë pritet të sekuestrohen në kuadër të hetimit.

Kompania “Weinstein”, që ka prodhuar filma të çmimit Oscar si “Fjalimi i Mbretit” dhe “Artisti”, është ndodhur së fundmi nën një presion të fortë për shkak të skandalit dhe ka shkarkuar producentin e njohur nga bordi drejtues.

“Asnjë njujorkez nuk duhet të shkojë në punë nën frikën e ngacmimit seksual apo diskriminimit. Nëse këto dukuri ekzistojnë në një kompani të caktuar, atëherë ne duam ta dimë”, ka deklaruar prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut, Eric Schneiderman.

Një burim i afërt me hetimet ka deklaruar për BBC se mes dokumentave që do të sekuestrohen janë edhe ankesat e bëra me shkrim nga punonjëset që janë ankuar se kanë rënë pre e abuzimeve.

Gra të shumta, mes të cilave aktoret Angelina Jolie, Gwyneth Paltrow dhe Rose McGowan, kanë akuzuar Harvey Weinstein. Producenti, që ka marrë mbi 300 nominime për çmimin Oscar dhe ka fituar 81, ka mohuar kategorikisht akuzat në fjalë.

Top Channel