“DeepMind”, sektori i inteligjencës artificiale të Google thotë se ka bërë një hap gjigant në ndërtimin e një makineri në gjendje që të mësojë dhe interpretojë vetë lojëra apo fenomene të ndryshme, pa ndihmën e njeriut.

Programi i quajtur “AlphaGo” është testuar me lojën kineze “Go”, një lojë e vështirë për t’u mësuar. Në programin fillestar, inteligjencës artificiale të Google iu dhanë lojëra të mëhershme të zhvilluara mes njerëzve dhe kështu arriti që të mësojë sesi luhet.

Në programin e dytë, të quajtur “AlphaGo Zero” ajo që iu ofrua robotit të gjigantit amerikan të teknologjisë ishte një fushë bosh, gurët për të luajtur dhe rregullat e lojës.

Inteligjencës artificiale iu deshën vetëm 72 orë, jo vetëm për të mësuar vetë lojën, por edhe për të mposhtur dy kampionët e fundit të botës të kësaj loje.

Shefi ekzekutiv i “DeepMind”, Demis Hassabis thotë se ky sistem mund të përdoret në fusha të ndryshme, sidomos në shkencë për studime të reja.

“Ne jemi shumë entuziastë sepse është një progres i madh dhe mendojmë se është i mjaftueshëm për të zgjidhur disa probleme reale, sidomos në fushën shkencore, megjithëse sërish jemi shumë larg ndërtimit të një inteligjence artificiale krejtësisht të pavarur nga njeriu”, thotë ai.

Top Channel