Partizani gjen golin dhe fitoren e parë. Skënderbeu mposht Laçin

12/10/2017 00:00

Duhet të vinte java e pestë e Kategorisë Superiore që Partizani të shënonte dhe të merrte fitoren e parë.

Skuadra e drejtuar nga italiani Mark Iuliano nuk kishte mundur të realizonte asnjë gol në katër sfidat e para, ndërsa këtë javë ka arritur të fitojë 1-2 në transfertën e vështirë të Durrësit, ndaj Teutës vendase.

Trashi është autori i golit të parë këtë sezon për Partizanit, duke barazuar një minutë para fundit të pjesës së parë golin e shënuar nga Dosti në minutën e 17.

Ndërkohë në pjesën e dytë, Teuta pati sërish mundësi të kalonte në avantazh, por Nika gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Atë që nuk mundi ta bënte lojtari durrsak e realizoi Sukaj i Partizanit, që ktheu në gol një penallti në minutën e 78. Ndërkohë, Shehaj i Teutës u largua me kartonin e kuq.

Tre minuta para fundit, Teuta mbeti me 9 lojtarë, pasi u ndëshkua edhe Anel Dedic, i cili goditi Kalarin e Partizanit.

Me këtë tre pikësh, Partizani i lë vendin e fundit Lushnjes dhe ngjitet në kuotën e 5 pikëve.

Ndërkohë, Skënderbeu vazhdon ecurinë pozitive në Superiore, ku edhe pse me vështirësi arriti të merrte tre pikët ndaj Laçit.

Një autogol në pjesën e parë dhe goli i Jashanicës në 45 minutat e dyta i dhanë fitoren e radhës skuadrës së Dajës, ndërsa për Laçin golin e vetëm e shënoi Lushkja.

Pas javës së 5, Skënderbeu udhëheq renditjen i vetëm me 13 pikë, ndërsa ndiqet nga Kukësi në kuotën e 10 pikëve.

Top Channel