Pakistan, çlirohen pengjet me fëmijë në robëri

12/10/2017 00:00

Ushtarët pakistanezë çliruan një familje me 5 pjesëtarë nga Amerika e Veriut, që mbaheshin peng nga talebanët afganë prej 5 vitesh.

Ata u shpëtuan pas informacioneve të dhëna nga Shtetet e Bashkuara dhe një operacioni perfekt ushtarak të zhvilluar në afërsi të kufirit afgan.

Mediet raportojnë se bëhet fjalë për familjen e përbërë nga shtetasi kanadez, Joshua Boyle, gruaja e tij amerikane, Caitlan Coleman, si dhe 3 fëmijët e tyre.

Çifti dhe fëmija më i madh u rrëmbyen në Afganistan në vitin 2012, e dy fëmijët e tjerë, ata i patën ndërsa ishin në duart e talebanëve.

Ushtria pakistaneze konfirmoi lirimin e familjes dhe tha se, operacioni u bë i mundur pasi agjencitë e inteligjencës amerikane informuan kolegët pakistanezë, se pengjet ishin dërguar brenda territorit pakistanez.

Çlirimi i tyre u përshëndet nga Ambasada e SHBA-ve në Islamabad. Talebanët kishin publikuar disa herë video të familjes në internet dhe kërkonin lirimin e disa militantëve të burgosur në Afganistan, në këmbim të tyre.

Detajet e operacionit ushtarak nuk bëhen të ditura, por mediet lokale raportojnë se ushtria eliminoi disa militantë që ruanin familjen, për të mundësuar shpëtimin e tyre.

Top Channel