Bisedimet për Brexit, BE: S’ka progres domethënës

12/10/2017 00:00

Kryenegociatori i BE, Michel Barnier tha se nuk është arritur ende progres i mjaftueshëm për të kaluar në fazën tjetër të bisedimeve të Brexit, siç kërkon Britania.

Ai tha se ka zhvillime të reja në proces, por ka ende një ngërç serioz për faturën e divorcit dhe kjo është shqetësuese. Bisedimet e kësaj jave mes BE dhe Britanisë janë të fundit para samitit të unionit më 19 dhe 20 tetor dhe Londra shpreson që në samit, liderët e BE do të vendosin se është arritur progres i mjaftueshëm për të hapur bisedimet për tregtinë. Por duket se Barnier i dha fund këtyre shpresave.

“Në këtë kuadër, unë nuk jam në pozicionin që aktualisht t’i propozoj Bashkimit Europian që të hapë negociata për marrëdhënien e jashtme të BE me Britaninë”, tha Michel Barnier,kryenegociator i BE.

Barnier tha se premtimi i kryeministres Theresa May se Britania do të respektojë paketën financiare është i rëndësishëm, por ai theksoi se nuk ka pasur negociata për këtë çështje, pasi Londra nuk është e gatshme të thotë se sa do të paguajë. I pranishëm në konferencën për shtyp ishte edhe ministri britanik për Brexit, David Davis, i cili pranoi në heshtje pohimet e Barnier, por u përpoq të përmirësonte panoramën e përgjithshme duke thënë se në bisedime është arritur progres për të drejtat e qytetarëve dhe se palët janë edhe më pranë një marrëveshje.

Top Channel