Robben, lamtumirë dygolëshe Holandës

11/10/2017 00:00

Sfida me Suedinë ishte e fundit për Holandën në kualifikueset për Botërorin e vitit 2018, por edhe për Arjen Robben me “tulipanët”.

Lamtumirën, për fat, e dha në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar dy gola në përballjen me nordikët, që gjithsesi nuk i mjaftuan skuadrës “portokalli” që të siguronte një vend për në fazën e “play off”-eve.

Robben e mbylli karrierën e tij me përfaqësuesen holandeze pas 96 ndeshjeve të luajtura me të, duke shënuar 37 gola, po aq sa kishte shënuar më pare edhe Dennis Bergkamp.

Arjen Robben debutoi me kombëtaren holandeze më 30 prill të vitit 2003, në moshën 19-vjeçare, në një miqësore kundër Portugalisë. Në vitin 2015, ai u bë kapiteni i skuadrës, duke zëvendësuar Van Persie.

Futbollisti 33-vjeçar ka marrë pjesë në 3 Europianë dhe në 3 edicione të Kupës së botës. Në Botërorin e vitit 2010, ai arriti deri në finale, ku Holanda u mposht nga Spanja 0-1, pas kohës shtesë. Në vitin 2014, Robben dhe Holanda e tij u renditën në vendin e tretë, pasi mposhtën në “finalen e vogël” Brazilin 3-0.

Top Channel