Siri, forcat turke hyjnë në Idlib. Shënohen edhe përplasje

08/10/2017 00:00

Mjete ushtarake të Turqisë kanë hyrë në provincën siriane të Idlibit këtë të dielë, nën shoqërimin e aleancës xhihadiste “Tahrir al-Sham”. Kështu janë shprehur një rezident i zonës ndërkufitare Siri-Turqi, si dhe një rebel lokal.

Ata të dy thanë se kishin parë disa mjete të rënda që transportonin forcat turke në Idlib, pranë kryqëzimit Atmah, përpara se luftëtarët e “Tahrir al-Sham” t’i shoqëronin ata përgjatë rrugës.

Të shtunën, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se rebelët sirianë të mbështetur nga forcat turke mund të nisin një operacion ushtarak në zonën e kontrolluar kryesisht nga “Tahrir al-Sham”.

Ndërkohë, monitoruesi i luftës disavjeçare në Siri raportoi për përplasje mes forcave turke dhe xhihadistëve. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, organizmi monitorues me seli në Britani, tha se përplasjet ndodhën pranë fshatit Kafr Lusin në Idlib.

Ndërhyrja ushtarake vjen pas një marrëveshjeje mes Turqisë dhe aleatëve të presidentit sirian Bashar al-Assad, Rusisë dhe Iranit, për të krijuar një zonë “jolufte” në Idlib dhe përreth tij, për të kufizuar luftimet, por kjo marrëveshje nuk përfshinte militantët e “Tahrir al-Sham”.

“Tahrir al-Sham” udhëhiqet nga ish-Fronti al-Nusra, deri vitin e kaluar nëndegë siriane e “Al Qaeda”-s, por prej atëherë ka ndryshuar edhe emrin, ndërkohë që i ka dhënë fund edhe aleancës me lëvizjen globale të themeluar nga Osama bin Laden.

Top Channel